Një ekspeditë arkeologjike shqiptaro-polake, që po kryen gërmime në kalanë Rozafa, ka bërë disa zbulime tepër të rëndësishme që kanë të bëjnë me gjetjen e disa mbishkrimeve romake që datojnë në vitet 31 para Krishtit, në periudhën e Augustit.
Rëndësia e këtij zbulimi qëndron në faktin se deri më sot mendohej se qyteti ilir në kalanë Rozafa datonte në një periudhë të mëvonshme, por zbulimi e radhit qytetin ilir në kalanë Rozafa njëlloj si Butrinti, Bylisi dhe Durrësi.
“Kemi hasur disa struktura të periudhës otomane dhe janë gjetur mbishkrime latine. U pastrua cisterna dhe u gjetën 4 mbishkrime romake”, shprehet arkeologu Saimir Shpuza.
Ndërsa drejtori i Parkut Arkeologjik Shkodër, Nikolin Shazi, shprehet se kjo ekspeditë që ka si qëllim zbulimin e antikitetit ilir në zonën përreth kalasë Rozafa ka një projekt gërmimi 5-vjeçar.
Në zonat e testimit që po kryhen rreth kalasë Rozafa janë duke dalur në sipërfaqe gjurmë tepër me vlerë përsa i përket antikitetit ilir të pazbuluara më parë.
Top Channel