Pakistani ndihmoi sulmin në Kabul

22/09/2011 17:10

Oficeri më i vjetër i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ka akuzuar agjencitë pakistaneze të inteligjencës për mbështetjen e grupit terrorist Hakani, në kryerjen e sulmit të javës së kaluar ndaj ambasadës amerikane në Kabul.

“Rrjeti Hakani vepron si një muskul i Agjencisë së Shërbimeve Ndërkombëtare të Pakistanit”, ka deklaruar admirali Mike Mullen, gjatë një raportimi para Senatit.

Në muajin korrik ai tha se qeveria pakistaneze sanksionoi vrasjen e gazetarit Saleem Shahzad, deklaratë që u cilësua si “e papërgjegjshme” nga Islamabadi zyrtar.

Autoritetet pakistaneze i kanë mohuar vazhdimisht deklaratat për lidhje me grupet militante.

Të paktën 25 persona mbetën të vrarë gjatë sulmit që zgjati 20 orë ndaj ambasadës amerikane, selisë së NATO-s dhe zyrave të policisë në Kabul. Mes viktimave kishte 11 civilë, mes të cilëve disa fëmijë, si dhe katër policë e 10 rebelë.

“Me mbështetjen e ISI, militantët e grupit Hakani planifikuan dhe kryen një sulm me një kamion-bombë, si dhe sulmin ndaj ambasadës sonë”, tha admirali Mullen, që këtë muaj do të tërhiqet nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

“Gjithashtu, kemi informacione të besueshmë që tregojnë se ISI ishte prapa sulmit ndaj hotelit “Inter-Continental” në Kabul dhe sulmeve të tjera me kapacitete më të ulëta, por efikase”, nënvizoi Mullen.

Rrjeti Hakani, me bazë në Pakistan dhe që vepron ngushtë me talebanët, është fajësuar për një seri sulmesh të profilit të lartë ndaj objektivave perëndimorë dhe indianë në Afganistan.

Autoritetet pakistaneze deklarojnë se anëtarët e tij janë kryesisht afganë, por korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se grupi është i rrënjosur thellë në territorin pakistanez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA