Duhej të ishte gongu që do të kishte hapur votimin për miratimin e ligjeve me 3/5, një sinjal që Bashkimi Europian e pret për të parë nëse politika është e gatshme të bashkëpunojë për integrimin. Por kjo nuk ndodhi.
Socialistët kërkuan tërheqjen e këtyre projektligjeve dhe nisjen e negociatave për kërkesat e tyre, që nisn me miratimin e ndryshime të propozuara për rregulloren e Kuvendit.
Për mazhorancën, ky qëndrim nuk është vecse një bllokim i ri për integrimin, në mënyrë që Shqipëria të mos marrë sërish statusin e vendit kandidat.
“Ne kërkuam prej vitit 2009 që kriza politike, që është bërë shkak për mbylljen e dyerve në Bashkimin Evropian, të mbyllet. Ne duam të negociojmë, por juve vetë thoni se opozita nuk do të bisedojë. Problemet e parlamentarizimit nuk i krijoi opozita”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci.
“Ta votojmë ligjin, pa humbur kohë. Të votojmë kë dëshironi, avokatin e popullit, të ngremë komisionin e reformës zgjedhore, sot. Mos e bllokoni Shqipërinë. Kjo është në dorën tuaj”, replikoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Projektligjet me tre të pestat u shtynë për në seancën tjeter, por kjo nuk do të thotë se domosdosshëmrisht do të miratohen. Vecanërisht, pasi në fjalimet e të dyja palëve hyri edhe cështja e presidentit.
“Kemi qenë edhe ne në mazhorancë, kemi pasur shumicë për zgjedhjen e presidentit me 84 vota, por ne negociuam një javë me ju. Uluni ju tani, negocioni”, iu drejtua Ruci mazhorancës.
“Ne kemi propozuar që të nisin negociatat për presidentin e ardhshëm dhe cështje të tjera. Por ne jua përsërisim, nuk do ketë pazar me integrimin, nëse ju e konsideroni si tender. Gaboheni rëndë”, iu përgjigj Patozi-Rucit.
Tani për tani, duket se e vetmja pyetje që janë gati t’i japin përgjigje politikanët është kush e ka fajin? Dhe natyrisht duan të bindin shqiptarët se asnjëra palë nuk është përgjegjëse.
“Ne do ta falenderojmë Edi Ramën që më në fund u tregua i ciltër, pas gjithë këtyre viteve që hodhi poshtë votën e qytetarëve”, tha Patozi.
“Ju keni ardhur sot që t’i paraprini mbledhjes së radhës së progres-raportit, që përgjegjësinë të na i lini neve. Por në Evropë dhe në botë s’ka budallenj për ta besuar këtë”, u përgjigj Ruci.
Por duke qenë se nuk ka një matës më të mirë për zgjuarsinë politike të një populli, të gjithë do të duhet të presim zgjedhjet parlamentare të 2013-ës për të kuptuar rezultatin e sondazhit kush e ka fajin.
Top Channel