Fakte për manipulimin e votës në Kuvend

22/09/2011 19:45

Aleanca Kuq e Zi ka publikuar të tjera prova që vërtetojnë se votimi i datës 7 korrik 2011 për ligjin e censusit në Parlamëent është i manipuluar.

Dokumenti i parë i prezantuar nga Aleanca, që vërteton edhe njëherë tjetër se jemi përballë një skandali parlamentar, është lista zyrtare e deputetëve pjesëmarrës në atë seancë.

Zyrtarisht, sipas Kuvendit të Shqipërisë, në votimin e kryer në formë elektronike kanë votuar 71 deputetë nga të cilët edhe Lefter Maliqi dhe deputeti i ndjerë Gëzim Dibra.

Aleanca thotë se kjo listë-prezencë dhe listë-votimi, e siguruar në mënyrë konfidenciale nga Kuvendi, është tërësisht e falsifikuar, pasi të dy deputetët ndodheshin jashtë vendit, përkatësisht njëri në Itali dhe tjetri në Turqi, këto të faktuara nga biletat e avionit.

Gjithashtu, në mënyrë konfidenciale nga sistemi TIMS që rregjistron të gjitha hyrje-daljet në pikat kufitare, Aleanca ka zbuluar se deputeti i ndjerë Gëzim Dibra e ka lënë Shqipërinë më datë 19 qershor 2011, duke udhëtuar me linjën “AlItalia”.

Ndërsa deputeti Lefter Maliqi kishte udhëtuar me linjë “Charter” dhe se në sistemin TIMS si datë daljeje nga Shqipëria është 1 korrik 2011 dhe hyrje data 12 korrik 2011, pra 5 ditë më vonë nga data kur është votuar në Parlament dhe vota e tij është numëruar pro.

Edhe nga fotot e publikuara nga Aleanca Kuq e Zi duket qartë që vota e dy deputetëve është keqpërdorur nga koleget e tyre, duke shkelur parimin kushtetues që “vota e deputetit nuk delegohet”.

Përfaqësues të Aleancës përballë këtyre fakteve kanë theksuar se prova e fundit e list-prezencës vërteton se manipulimi ka qenë i mirorganizuar dhe jo i rastësishëm.

Aleanca Kuq e Zi insiston se me këto abuzime të shtetit shqiptar mbi procesin e regjistrimit, të kërkuar edhe nga BE, po plotësohet rekomandimi i Athinës për regjistrimin etnik.

Regjistrimi, Tahiri letër Topallit

Deputeti socialist Saimir Tahiri i kërkoi zyrtarisht me anë të një letre kryetares së Kuvendit, zbardhjen e seancës kur u votua ligji për censusin.

Ai shkruan se ka dyshime për një proçedurë votimi të montuar. Ndërsa në terren ka nisur puna për zbatimin e këtij ligji, në qarkun e Korçës, organizata e minoritetit grek kërkoi që të ketë përfaqësuesit e saj në grupet e regjistrimit.

“Në vëmendjen time, siç kam bindjen dhe Tuajën, por edhe më shumë të publikut, janë bërë të njohura fakte të cilat hedhin dyshime fort mirë të bazuara për zhvillimin e një procedure votimi të montuar, fiktive, të manipuluar e aspak në përputhje me vullnetin vetjak të deputetëve pjesëmarrës në seancën plenare të datës 7 korrik 2011 për miratimin e P/ligjit ‘Për Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave’”, thuhet në letër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA