Tiranë, ndryshon sheshi Skëndërbej

21/09/2011 00:00

Bashkia e Tiranës nis punimet në sheshin Skëndërbej për ta rikthyer atë në gjendjen e mëparshme.

Mundimi i qytetarëve në trafik pas projektit të parë, për një shesh pa makina dhe dedikuar vetëm këmbësorëve, ka shkuar dëm.

Projekti që i përkiste bashkisë së drejtuar nga Edi Rama nuk do të ekzistojë më si i tillë, ndërkohë që do të nisin punimet për të shtruar sheshin dhe për t’ia kthyer atë sërish automjeteve.

“Aktualisht po punohet për të bërë sistemimin dhe asfaltimin, si dhe gjelbërimin e sheshit. Asfaltimi do konsistojë në rrugët ku do kalojë trafiku, pastaj do të jetë sheshi dhe në të gjitha rrugët hyrëse do ketë shenja sinjalistike për transportin urban dhe privat. Gjelbërim do ketë vijimi i sheshit dhe pjesët që nuk kanë të bëjnë me trafikun”, ka deklaruar Taulant Zeneli, drejtor i Shërbimeve në bashkinë e Tiranës.

Sipas Zenleit, këto punime kanë të bëjnë me ndërhyrje emergjente, pasi inxhinierët po shqyrtojnë mundësi të reja për ndërhyrje afatgjata, c’ka tregon qartë se nuk do të zbatohet plani i mëparshëm për të cilin u realizuan disa konkurse.

Tashmë duket se do të kemi edhe disa konkurse të tjera, si përsa i përket projektit të ri, ashtu dhe realizimit të tij.

Më herët gjatë muajit bashkia e Tiranës nisi nga e para konsultat për hartimin e planit urbanistik të kryeqytetit, ndonëse një i tillë ishte tashmë i përgatitur dhe kishte ngjallur debate forta ndërmjet bashkisë dhe Ministrisë së Punëve Publike, c’ka bëri që mos të kalonte provën në Këshillin Rregullues të Territorit të Republikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA