Qeveria: Transparencë bankave

15/09/2011 10:50

Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se bankat private duhet të
detyrohen të bëjnë publike për qytetarët bilancet dhe gjendjen e tyre
financiare.

”Nuk është tabu dhe nuk është as sekret i kompanive, gjendja e tyre financiare apo elementë që kanë të bëjnë me produktet që ata ofrojnë në treg dhe raporte të tjera financiare, që lidhen me vlerësimin e individit rreth agjentëve që veprojnë në sistemin financiar shqiptar. Ndaj mendoj që vetë institucionet qendrore dhe qendrat e informimit përmes publikimit të të dhënave dhe fakteve, zhvillimeve të agjentëve të tregjeve financiarë të mund të informojnë më drejt opinionin e gjerë publik”, tha Bode.

Kreu i Financave mendon se transparenca financiare e bankave do të ulte pasiguritë në publik, që sipas tij shpesh nxiten edhe nga politika.

“Shpeshherë ne ndodhemi para manipulimeve me dashje rreth zhvillimeve në tregjet financiare. Manipulimet vijnë nga interesa tregtare të kompanive që veprojnë dhe në interesa të mirëfillta politike, ku përfaqësues politike japin konkluzione për sistemin financiar në tërësi apo për banka duke krijuar situata të pakëndshme”, tha Bode.

Zoti Bode i pozicionuar këtë herë, qartazi në kahun e konsumatorëve, tha se shpesh qytetarët janë në pozitë të pabarabartë në marrëdhëniet financiare me bankat, pasi sipas tij, në disa raste nuk u serviret informacioni i plotë.

“Përmes procesit të reklamave agresive, shpesh ngatërrohet procesi i informimit, me procesin e reklamave. Reklama, të cilat bëhen në mënyrë individuale personale, për interesa tregtare dhe procesi i informimit që nuk është thjesht individual”, tha Bode.

Kreu i financave i bëri këto deklarata në një konferencë ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, e cila këtë herë kishte në fokus pikërisht edukimin e qytetarëve me kulturën financiare, një cështje që ka marrë rëndësi të madhe, pas krizës së thellë që përfshiu botën.

“Edukimi financiar duhet parë si një e mirë publike që sjell eksternalitete pozitive për shoqërinë. Ai jo vetëm rrit mirëqënien financiare të individëve por ndikon gjithashtu eficensën e politikave ekonomike të ndërmarra nga autoritetet”, tha guvernatori Ardian Fullani.

Një nga shkaqet kryesore të krizës globale u cilësuan pikërisht njohuritë e cunguara të qytetarëve në fushën financiare, duke i nxitur ata drejt rreziqeve të larta dhe kredive të papërballueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA