Belgjikë, “dritë” në fund të tunelit

15/09/2011 11:05

I ngarkuari me detyrën e formimit të qeverisë në Belgjikë ka njoftuar
arritjen e një rezultati pozitiv pas një seri negociatash të
tensionuara.

Politikani i majtë Elio di Rupo deklaroi se tetë partitë e përfshira në bisedime kanë rënë dakord për të lëvizur përpara, për zgjidhjen e pikave “pikante” të negociatave.

Në to përfshihet edhe opsioni i ndarjes së pushtetit mes komuniteteve frankofone dhe atyre holandeze, ka bërë të ditur Di Rupo.

Belgjika, vendi që konsiderohet si zemra e Bashkimit Evropian, ka 15 muaj që ndodhet pa një qeveri legjitime.

Mosmarrëveshjet kanë në fokus ndarjen elektorale në komunitetet e ndryshme në rajonin e Brukselit.

“Tetë partitë e përfshira në bisedime arritën me sukses të kalonin pengesat që kanë krijuar vështirësitë e shumta në ditët e fundit”, deklaroi zoti Di Rupo.

Kriza politike në Belgjikë u përkeqësua ditën e martë, kur kryeministri në detyrë Yves Leterme njoftoi largimin nga posti pasi pranoi një detyrë të re në Paris.

Kjo gjë detyroi mbretin Albert II që të ndërpriste pushimet e shkurtra në Nisë të Francës dhe të kthehej në Bruksel për të ndjekur nga afër krizën politike.

Mbreti caktoi zotin Di Rupo, lider i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Socialiste Frankofone, për të negociuar një marrëveshje koalicioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA