Muammar Gaddafi ndodhet ende në Libi, ka humor të mirë dhe një ushtri të
fuqishme që i ruan shpatullat. Kështu ka deklaruar sot zëdhënësi i
liderit tashmë të rrëzuar të Libisë, Moussa Ibrahim.
“Lideri është në gjendje të mirë shëndetësore, me moralin e lartë dhe ndodhet në Libi”, ka deklaruar Ibrahim në një komunikim telefonik me agjencinë e lajmeve “Reuters”.
“Ndryshe nga sa mendon bota, beteja nuk ka mbaruar ende. Ne jemi ende shumë të fuqishëm, ushtria jonë është gjithnjë e më e fortë dhe ne kontrollojmë pjesë të mëdha të Libisë”, ka shtuar zëdhënësi.
Por pavarësisht shpresave të klanit të kolonelit, lideri i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdul Jalil paraqiti të martën në Tripoli planin e tij për krijimin e një shteti modern dhe demokratik, të bazuar tek “islamizmi i moderuar”.
Megjithatë, edhe pse administrata e përkohshme ka premtuar formimin e një qeverie tranzitore brenda 10 ditëve të ardhshme, vendi ka ende shumë sfida që lidhen me stabilitetin e tij.
Forcat anti-Gaddafi kontrollojnë pjesën më të madhe të Libisë, por besnikët mbajnë ende qytetet Sirte dhe Bani Ualid, duke bërë një rezistencë më të ashpër nga sa parashikohej.
Ndërkohë, Amnesty International i bëri thirrje KKT-së që të ndërmarrë hapa për të parandaluar abuzimet me të drejtat e njeriut që po bëhen nga forcat anti-Gaddafi.
Në fjalimin e tij të parë Jalil u tha rreth 10 mijë mbështetësve të tij që të shmangin sulmet ndëshkuese, duke nënvizuar se liderët e rinj të Libisë nuk do të pranojnë asnjë lloj ideologjie ekstremiste.
Top Channel