Kriza, Barroso propozon eurobondet

14/09/2011 20:50

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso propozoi eurobondet për të zgjidhur krizën e eurozonës, duke e konsideruar si sfidën më serioze të një brezi.

Propozimi i tij në Parlamentin Europian u duartrokit nga deputetët dhe vjen pak para takimit mes kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit grek, Jorgo Papandreu, ku do të flitet për të gjetur zgjidhje përballë problemit të borxhit.

“Dua të konfirmoj se Komisioni së shpejti do të paraqese opsionet për paraqitjen e eurobondeve. Disa nga këto opsione mund të zbatohen brenda afateve të traktatit altual, të tjerat do të kërkojnë ndryshime të tij”, deklaroi Barroso.

Barroso nënvizoi se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur krizën e borxhit të eurozonës.

“Por ne duhet të jemi të ndershem, kjo nuk do te sjellë një zgjidhje të menjëhershme për të gjithë problemet me të cilat përballemi dhe do të vijë si një element i përqasjes gjithëpërfshirëse për integrimin e mëtejshem ekonomik dhe politik”, nënvizoi presidenti.

Ai do t’i kërkojë 17 vende anëtare të eurozonës, për të nxjerrë bonde të përbashkët, cka do t’i lejojë ata të marrin hua para në mënyrë kolektive.

Eurobondet u propozuan nga ministri italian i Financave, Giulio Tremonti dhe investitori George Soros. Idea hasi kundërshtimin e Gjermanisë. Ndërkohë, mësohet për një ndryshim të beftë të roleve tradicionale.

Pesë vendet e mëdha në zhvillim, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut do të takohen javën e ardhshme në samitin vjetor të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për t’i dhënë ndihmë financiare Europës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA