Një seri sulmesh me bomba kanë vrarë të paktën 15 persona dhe plagosur dhjetra të tjerë në Irak, ndërkohë që një grup i armatosur ka vrarë dy policë në një postobllok në Bagdad.
Një makinë bombë shpërtheu herët në mëngjes pranë një restoranti të frekuentuar nga forcat e sigurisë në Hila, duke vrarë të paktën 13 vetë.
Ndërsa një tjetër bombë e vendosur tek autobusi ushtarak në një bazë në Habanija, në perëndim të kryeqytetit, shpërtheu duke vrarë dy anëtarë të personelit.
Në javët e fundit në Irak ka pasur një valë të re sulmesh, kryesisht atentate vetëvrasëse, ndaj forcave të policisë dhe atyre ushtarake.
Disa shifra të Ministrisë irakene të Brendshme, të publikuara nga agjencia e lajmeve “Reuters”, tregojnë se 45 policë dhe 39 ushtarë janë vrarë vetëm gjatë muajit gusht.
Të paktën dy nga personat e vrarë në afërsi të Hilas, 100 kilometra në jug të Bagdadit, ishin agjentë policie, bëjnë të ditur autoritetet lokale.
Sipas të njëjtave burime, katër oficerë të tjerë janë mes 40 personave që kanë mbetur të plagosur nga sulmi, njofton agjencia “Associated Press”.
Bomba në Habanija, e cila u aktivizua teksa personeli po transportohej brenda bazës, shpërtheu gjithashtu në orët e parë të mëngjesit, rreth orës 08:00.
Top Channel