Greqia e mbajti peng anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 në këmbim të dy marrëveshjeve, e para për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri dhe tjetra për caktimin e kufijve detarë.
Listës së gjatë të kabllogrameve të publikuar nga Wikileaks i shtohet dhe ky i 14 Janarit 2009, i firmosur nga ish-zv.ambasadori amerikan Christina.
Dokumenti diplomatik është shkruar vetëm pak muaj larg asaj që do të konsiderohej historike për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO më 1 prill të vitit 2009.
Përpara se anëtarësimi të ndodhte, vendet anëtare të Aleancës duhet të ratifikonin anëtarësimin.
Në një komunikim mes Christina-s dhe drejtorit për NATO-n në Ministrinë e Jashtme, Agim Fagu, është nënvizuar shqetësimi i këtij të fundit për 3 shtete: Greqinë, Francën dhe Belgjikën.
Por vonesat e Parisit dhe Brukselit janë cilësuar nga diplomati shqiptar si burokratike. Në komentin e tij për zhvillimet e fundit në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Chrisitina shkruan:
“Fagu tregoi se qeveria e Shqipërisë është shumë e shqetësuar për Greqinë. E para dhe më e rëndësishme, paqëndrueshmëria politike aktuale në këtë vend mund të kalojë në plan të dytë progresin për ratifikimin e NATO-s dhe ta vonojë atë përtej samitit të prillit. Së dyti, Greqia historikisht ka përdorur të tilla negociata për të zhvatur më shumë lëshime nga Shqipëria, si ajo e varrezave për ushtarët grekë në Shqipëri dhe caktimin e kufirit detar mes dy vendeve”.
Megjithatë, vazhdon komenti i Christina, Fagu beson se pasi bllokoi hyrjen e Maqedonisë në NATO vitin e kaluar, Greqia nuk dëshiron të rrezikojë komente negative për cështjet e vogla me Shqipërinë.
Në një shënim brenda këtij komenti, Chrisitina shpjegon: “Greqia dhe Shqipëria kanë arritur marrëveshje për varrezat, duke e shndërruar këtë jo më një cështje sa i takon ratifikimit të NATO-s. Megjithatë, cështja e kufirit detar mbetet në diskutim”.
Në kabllograme është publikuar edhe lista e vendeve që e kishin depozituar ratifikimin për anëtarësimin në NATO, gjashtë vende që e kishin depozituar, 11 të tjerë që e kishin ratifikuar, por jo depozituar dhe nëntë që ende nuk e kishin plotësuar zyrtarisht.
Shqetësimi i qeverisë shqiptare në kohën kur është shkruar dokumenti diplomatik i referohet vecanërisht Greqisë.
Top Channel