“ACR e krijuar nga njerëzit e Rulit”

13/09/2011 20:00

Që nga shfrytëzimi i pasurive minerare të Bulqizës nxirren përfitime të konsiderueshme, këtë e dëshmon numri i dhjetëra firmave private që punojnë në minierën e Bulqizës.

Që shoqëria ACR, e cila ka të drejtën koncesionare të nxjerrjes dhe përpunimit të kromit ka shkelur disa herë marrëveshjen e koncesionit, këtë e dëshmon ministri i Ekonomisë, Nasip Naco.

Në një interpelancë parlamentare të kërkuar nga opozita, ministri Naco deklaroi se me urdhërin e tij, përpara se të niste greva e minatorëve, u ndërmor një kontroll në minierën e Bulqizës, prej nga rezultoi se ACR jo vetëm nuk kishte përmbushur detyrimin e investimeve, por mbi të gjitha, përpara një viti kishte lidhur në mënyrë të paligjshme kontrata me nënkontraktorë për shfrytëzimin e pasurisë që asaj i janë dhënë me koncesion.

Ministri renditi masat e marra kundër ACR-së dhe firmave të tjera. “Është vendosur pezullimi i lejes për ACR për zonën D të minierës dhe zhvlerësimi i marrëveshjeve të saj me subjektet lokale. Aktiviteti i ACR do të kryhet në përputhje me legjislacionin shqiptar. Ndaj saj u aplikuan penalitete për mosrealizimin e investimeve me 57 milionë lekë gjobë”, deklaroi Naco.

Por, këto masa për opozitën janë të pamjftueshme dhe vetëm sa dëshmojnë se marrëveshja koncesionare, e lidhur në vitin 2001, është shndërruar në një marrëdhënie korruptive që prej vitit 2007, kur ACR bleu aksionet e Darfo.

Në këtë histori të komplikuar shoqërish tregtare, që kanë përfituar disa dhjetëra miliona dollarë në vit nga shfrytëzimi i minierës së Bulqizës, opozita dëshmoi se ka patur marrëveshje zyrtare për të toleruar shkeljen e marrëveshjes nga ACR-ja.

Një marrëveshje, që sipas deputetit Sajmir Tahiri, që kërkoi interpelancën, është shndërruar në një marrëdhënie korruptive, ku në epiqendër ai vendos ish-ministrin e Ekonomisë Genc Ruli. Fillimisht, Tahiri deklaroi emrat dhe lidhjet e përfaqësuesve të Darfo dhe me pas të ACR-së, të cilët sipas tij rezultojnë të jenë pothuajse të njëjtët.

“Përfaqësuesit kanë qenë Eduard Belegu, ish-funksionar i Metës dhe Kristo Robi, që Genc Ruli e njeh shumë mirë. Ky i fundit, shok klase dhe mik i ngushtë me Rulin. Duket se me miratimin e Rulit, shoku i tij të drejtën për të shfrytëzuar minierën e kaloi nga Darfo tek ACR, që e kishte krijuar vetë”, deklaroi Tahiri.

Për ish-ministrin e Ekonomisë Genc Ruli, deputeti Tahiri tha se në 17 shkurt 2009 kishte pezulluar marrëveshjen me ACR-në dhe vetëm dy ditë më vonë kishte firmosur më ta një marrëveshje për të shtyrë me disa vjet planin e investimeve.

Më pas, sipas zotit Tahiri, ministri Ruli kishte pranuar më 9 korrik, një ditë pas kërkesës së ACR-së, të modifikonte sërish marrëveshjen, këtë herë për të shtyrë shlyerjen e penaliteteve, të vendosura po prej tij.

Modifikimi i kësaj marrëveshjeje nuk u miratua në Parlament dhe Partia Socialiste thotë se ajo është e pavlefshme.

“Më e pakta që mund të kuptohet ishte qarku i shkurtër dhe kontrata nën tavolinë e bërë nga Genc Ruli dhe shoku i tij në ministri”, theksoi deputeti Tahiri.

Aktualisht, në minierën e Bulqizës janë pezulluar të gjitha firmat që punonin aty, përfshirë sipas ministrit Naco, edhe atë që punonte në galerinë D, ku minatorët zhvilluan grevën e urisë.

Por Sajmir Tahiri, duke hedhur poshtë si të pavërtetë deklarimin e ministrit Naco, lexoi një email të një jave më parë, nëpërmjet të cilit vëllai i kryetarit të bashkisë së Bulqizës, pronar i firmës që punonte në sektorin D, komunikonte me ACR-në për të ritkhyer situatën në gjendjen e punës, gjë për të cilën kishte biseduar edhe me zyrtarë të ministrisë.

E vërtetë apo jë, të dyja palët e pranojnë se kjo është një histori interesash finaciare të ndërlikuara, por nuk japin të njëjtët emra. Përmendja e emrave nga Tahiri shkaktoi madje edhe tension në sallë.

“Pasi kam ndjekur dinamikën e kësaj greve, kam bindjen se drejtuesit e saj po përfitojnë mbi interesat e minatorëve, për t’u kthyer në biznesmenë dhe për të larguar ACR-në”, deklaroi Naco.

“Komanda e korrupsionit kalon nga Roland Keta, kryetar i bashkisë dhe kryetar i PD në Bulqizë. Vëllai i tij ka katër licensa. Vetë Ruli kontrollon një rrjet licensash që punon për të në Bulqizë. Rrjeti shkon deri tek të paprekshmit, ata pranë kryeministrit, si Agron Kuliqi. Kontrabanda niset që nga Bulqiza dhe shkon në Kinë dhe ndiqet nga Kristo Rodi”, u përgjigj Tahiri.

Ministri i Ekonomisë Nasip Naco i kërkoi zotit Tahiri të ndiqte rrugën ligjore për të verifikuar pretendimet e tij dhe nuk iu përgjigj akuzave direkte të deputetit socialist. Madje, këtë nuk e bëri as zoti Ruli, i cili ishte i pranishëm gjatë gjithë interpelancës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA