Autoritetet në Niger njoftuan Shtetet e Bashkuara se vunë nën pranga Sadi Gadafi, djalin e tretë të kolonelit libian, Muamar Gadafi.
Lajmi u njoftua nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nuland. Sipas Nuland, tashmë autoritetet e Nigerit po diskutojnë se cfarë do të bëhet me të.
Sadi Gadafi hyri në Niger ditët e fundit. Nigeri është kthyer në vendstrehimin e ish-udhëheqësve të Libisë, të rrëzuar nga opozita pas më shumë se 6 muaj protesta e luftime.
Libi, ashpërsohen luftimet në Bani Ualid
Shtatë luftëtarë anti-Gaddafi janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur në luftimet e ashpra që po zhvillohen në qytetin Bani Ualid, në Libi.
Luftëtarët deklarojnë se janë tradhtuar nga banorët lokalë, të cilët u thanë se ishin në anën e tyre dhe i drejtuan për në një pritë të besnikëve.
NATO po godet gjithashtu qytetin, që është nën kontrollin e forcave të kolonelit në arrati, por sulmet ulin mundësinë për kapjen e tij nga rebelët.
Ndërkohë, 15 roje u vranë kur trupat pro-Gaddafi sulmuan një rafineri nafte në afërsi të qytetit të Ras Lanufit.
Një punëtor i plagosur i rafinerisë tha se një kolonë makinash që vinin nga Sirte kreu një sulm të papritur ndaj impiantit, të kontrolluar nga rebelët.
Ndërkohë, në Tripoli, është regjistruar një shpërthim i fuqishëm në një depo armësh në afërsi të aeroportit ndërkombëtar.
Shkaqet e shpërthimit janë të paqarta. Sulmet vijnë një ditë pasi i biri i kolonelit Gaddafi, Saadi, fitoi të drejtën për t’u strehuar në Nigerin fqinj.
Top Channel