Mbi 100 persona kanë vdekur nga shpërthimi i një tubacioni nafte dhe zjarri që pasoi në kryeqytetin e Kenias, Nairobi.
Shpërthimi ndodhi në zonën industriale të qytetit, të njohur ndryshe si Lunga Lunga, dhe policia me ushtrinë rrethuan zonën, ndërkohë që zjarrfikësit luftonin me flakët.
Tubacioni i naftës kalon përmes zonës së populluar dhe të varfër të Sinait, në qendrën e qytetit të Nairobit, deri në aeroport.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një cigare e hedhur në një pusetë të hapur, që po mbushej me karburant.
Karburanti ka rrjedhur nga një cisternë e parkuar në një depo që i përket Kompanisë Keniane të Naftës, ka bërë të ditur një zëdhënës i policisë për agjencinë “Reuters”.
Ndërkohë, banorët kanë deklaruar se pas rrjedhjes, shumë persona vrapuan të mblidhnin naftën e derdhur dhe më pas erdhi shpërthimi që i përfshiu ata.
“U dëgjua një shpërthim i madh, zjarri dhe tymi u ngritën lartë”, ka treguar një banor për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.
Top Channel