“Katia” drejt Britanisë së Madhe

12/09/2011 20:50

Urgani “Katia” ka marrë përmasa gjigande teksa ka kaluar mbi Atlantik. Trajektorja e tij ndryshoi përpara disa ditësh dhe nga pjesa perëndimore e Atlantikut, tashmë është mbi territorin britanik.

Erërat në orët në vazhdim do të mbërrijnë në 130 km në orë dhe Uellsi, Anglia qendore dhe tërë Skocia do të jenë pjesët që do të ndjejnë më shumë furinë e tij.

Ndërkohë, janë ndërprerë shumë udhëtime me tragete për shkak të dallgëve të mëdha dhe janë mbyllur shumë ura.

Do të ketë crregullime në udhëtimet nëpër autostrada dhe linjat hekurudhore, sakaq shërbimi meteorologjik ka këshilluar shmangien e udhëtimeve të panevojshme.

Pritet që pemët të shkulen nga rrënjët dhe të ketë dëme strukturore për shkak të erërave dhe shirave të furishëm që fatkeqësisht në zonat bregdetare do përkojnë me orarin e baticave.

Fuqia e uraganit “Katia” është llogaritur në shkallën katër, ku pesa është më e forta, sipas shkallës Saffir-Simpson të klasifikimit të këtyre stuhive.

Autoritetet britanike kanë vendosur gatishmërinë në nivelin e dytë më të lartë në vend.

Operatori britanik i rrjetit të energjisë mund të mbyllë një numër turbinash të erës, pasi ato kërcënojnë të mbingarkojnë sistemin e transmetimit në orët e pasmesnatës, kur kërkesa është e vogël.

Ndërkohë, kanë filluar njofimet e para për rrugë të bllokuara nga pemët e rrëzuara dhe disa cati shtëpish të shkulura nga erërat e forta.

Orët në vazhdim dhe nata do të jenë kritike në pjesët ku do të godasë uragani Katia, më i forti që godet Britaninë që nga vitit 1996.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA