Vjeshta, stina e alergjive dhe reumatizmave

10/09/2011 13:25

E kemi thënë vazhdimisht se vjeshta është koha kur njerëzit ndihen të
lodhur, në depresion e shumë të tjerë akoma sëmuren në mënyrë të
pashpjegueshme dhe të përsëritur.

Shirat, era dhe lagështira, tipike të sezonit të vjeshtës, në fakt mund të shkaktojnë apo përkeqësojnë edhe shqetësimet e shumta reumatizmale. Mund të ndërhyhet te dieta, në stilin tonë të jetesës apo në ritmet e përditshme për të shmangur këto lloj shqetësimesh? Ja se çfarë këshillojnë mjekët. Para së gjithash është i nevojshëm një sqarim, duke qenë se shumë flasim për reumatizmin, por pak e dinë se çfarë kuptohet vërtet me këtë fjalë: “Reumatizmat janë një grup sëmundjesh, në përgjithësi kronike, të karakterizuara nga dhembje në kyçe dhe muskuj. Me këtë term kuptohen shqetësime shumë të ndryshme nga njëra-tjetra për sa u përket shkaqeve, mekanizmave të shfaqjes, zhvillimit, prognozës dhe terapisë”. Simptomat e sëmundjes ndryshojnë nga një njeri te tjetri. Megjithatë ka disa shenja të përgjithshme të saj. Sa më shumë që sëmundja avancon, aq më tepër enjten, deformohen dhe dhembin kyçet, kufizohet lëvizja dhe shtohet dhembja. Për sa u përket shkaqeve të përgjithshme, mjekët përmendin moshën, ku artroza sa vjen e theksohet. Po ashtu klima e ftohtë ndikon shumë në rëndimin e artrozës poliartikulare. Nëse vuani nga artriti reumatik, ju mund të humbni edhe oreksin, të ndiheni të dobët dhe të pafuqishëm. Por, për të mos i lejuar simptomat që të përparojnë, ju duhet të mbani një dietë ushqimore të balancuar dhe të bëni ushtrime të lehta. Hani shumë fruta dhe perime. Ju duhet të merrni rregullisht vitamina, sepse sëmundja juaj ju bën deficitar në disa lloje vitaminash si p.sh.: vitamina D, që është shumë e rëndësishme për kockat. Gjithashtu duhet të merrni edhe kalcium. Ndryshe nga ç’mendohej, sëmundjet reumatizmale nuk janë tipike të plakjes, apo moshës së tretë, përkundrazi shumë të rinj (sipas disa vlerësimeve një në dhjetë europianë) kanë sëmundje reumatizmale. Si t’i dallojmë?

“Nëse format e keqësuara të lidhura me osteoartrozën dhe osteoporozën tentojnë të prekin një pjesë të popullsisë më të madhe në moshë, artriti reumatik mund të prekë njerëz më të rinj në moshë. Një nga karakteristikat më të rëndësishme të reumatologjisë është mungesa e një analize patognomonike në gjendje të konfirmojë me siguri diagnozën e një sëmundjeje specifike. Çdo sëmundje kërkon kritere specifike për ta diagnostikuar, për këtë arsye bëhet e domosdoshme vizita te një specialist i këtyre sëmundjeve. Me fjalën reumatizëm kuptohen të gjitha sëmundjet reumatike. Artroza, ose më mirë osteoartroza, është një formë e veçantë e reumatizmës që karakterizohet nga brerja me kalimin e viteve e kërcit që ndodhet në zonën ku bashkohen kockat midis tyre.

Është e vërtetë se lloji i ushqimeve mund të shmangë shqetësimet akute?

Në të kaluarën i jepej shumë rëndësi parandalimit përmes dietës, të ashtuquajturave reumatizma dismetabolike. Sot, për shkak të informacioneve të shumta që disponojmë, roli i dietës në këto lloj sëmundjesh është reduktuar shumë. Megjithatë duhet të theksoja atë që të gjithë mjekët thonë: një ushqyerje e shëndetshme dhe e ekuilibruar, si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia, është një lloj ilaçi parandalues për të gjitha sëmundjet në përgjithësi.

Përse nga lagështia, dhembjet bëhen më të forta? Mund të konsiderohet kjo një shenjë e dukshme e pranisë së sëmundjeve reumatike? Shtimi i dhembjeve në prani të lagështisë nuk është i lidhur shumë me lagështinë se sa me ndryshimet barometrike që shoqërojnë ndryshimet klimatike. Dush me ujë të nxehtë, pak gjimnastikë e lehtë dhe veshje të rënda. Është e vërtetë se me këto këshilla mund të ndihemi më mirë? Sigurisht që po, mbi të gjitha nëse bëhet fjalë për dhembje të lokalizuara vetëm në një ditë. Ndryshe është puna nëse dhembja zgjat, sepse atëherë bëhet e nevojshme një konsultë me mjekun specialist në gjendje të na orientojë drejt diagnozës së saktë. Sot, në fakt, diagnostikimi i hershëm është bërë shtylla e trajtimit të çdo sëmundjeje, duke qenë se vetëm ndërhyrja fillestare mund të shmangë dëmtimet e mëvonshme që mund të jenë shumë të rënda dhe me pasoja të pakthyeshme. Cila është këshilla juaj për ta jetuar sa më mirë vjeshtën? Shëndeti është një gjendje që kërkon ndërgjegjësim dhe angazhim. Duhet të ushqehemi me ushqime të sezonit, mbi të gjitha biologjike, që nuk janë të pasura vetëm me kalori, por me të gjitha elementet e nevojshme për një funksionim korrekt të organizmit tonë. Shpesh në vendet perëndimore janë vënë re episode të kequshqyerjes, për shembull për sa u përket disa vitaminave ose mineraleve të veçanta, për shembull te personat mbi peshë. Pastaj shumë i rëndësishëm është edhe aktiviteti fizik. Duhet të nisim ecjen dhe të riorganizojmë ditët tona kaotike në qytetet e mëdha, duke lënë shpesh makinat dhe duke ju kthyer zakoneve të vjetra. Vetëm kështu do të jemi në gjendje të zgjasim jetën dhe t’u japim jetë viteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA