Protesta të mëdha kanë filluar në Greqi që prej mëngjesit të sotëm në kryeqytetin grek Athinë dhe më pas në qytetin verior të Selanikut, ku me mijëra grekë që kanë ngritur zërin kundër masave dhe reformave të qeverisë Papandreu.

Në mesditë qendra e qytetit verior është bllokuar për çdo automjet apo kalimtar, dyqanet janë mbyllur nga frika e përleshjeve dhe e vandalizmave dhe në pikat kyçe patrullojnë mbi 6500 policë dhe forca speciale të rendit.

Prej orës tre mijëra taksiste protestojnë në pjesën veriore të Ekspozitës Ndërkombëtare, duke kundërshtuar reformën e liberalizimit të profesionit të tyre.

Zemërimi popullor shprehet të paktën edhe në shtatë protesta të tjera të sindikatave greke të sektorit publik dhe atij privat, të partive të majta, të studentëve dhe të qytetarëve të lëvizjes së të indinjuarve.

“Jam këtu që qeveria të marrë pas të gjitha reformat në sektorin e shëndetësisë, të arsimit dhe për të gjitha masat e rrepta dhe taksat në kurriz të pensionistëve. Nuk durojmë dot më”, shprehet një pensionist.

Në një fjalim në Qendrën e Unionit të Dhomës së Tregtisë, në Selanik, ministri i Financave ka dhënë mesazhin se qeveria do të zbatojë me çdo kosto planin e saj.

“Jemi krejtësisht të vendosur dhe nuk marrim parasysh asnjë kosto politike për të zbatuar plotësisht detyrimet që kemi marrë përsipër ndaj partnerëve tanë institucionale”, është shprehur Evangelos Venizellos, ministër i Financave.

Edhe fjalimi mbrëmjes së kryeministrit Papandreu në Ekspozitën e 76 Ndërkombëtare do të ketë si bosht kryesor ndryshimet që do të bëjë qeveria greke për të nxjerrë nga reçensioni i thellë ekonominë.

Udhëheqësi grek do të theksojë nevojën për një shoqëri që mbështet tek zbatimi i ligjeve, i drejtësisë, duke vlerësuar njëkohësisht shkaqet që sollën vendin në prag të falimentimit.

Gjithashtu do t’u bëjë thirrje të gjithë grekëve për një përpjekje kombëtare, duke vënë para tyre dilemën ose zbatojmë reformat ose do të shkatërrohemi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA