Obama: Tani jemi më të fortë

10/09/2011 18:35

“Shtetet e Bashkuara janë më të fortë 10 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit  dhe amerikanët do të ecin përpara, pavarësisht kërcënimeve për sigurinë e tyre”.

Në mesazhin e përjavshëm në radio dhe internet, presidenti amerikan Barak Obama nderoi të gjithë ata që u përgjigjën të parët; forcat e armatosura dhe të gjithë ata që humbën jetën, në ditën tragjike.

“Falë përpjekjeve të palodhshme të ushtarakëve tanë dhe shërbimeve të sigurisë, zbatimit të ligjit dhe profesionistëve të sigurisë në vend, nuk ka asnjë dyshim: Sot Amerika është më e fortë dhe AL Kaeda po dështon”, është shprehur Obama.

Ai tha se grupet terroriste do të vazhdojnë të vënë në shenjestër Shtetet e Bashkuara.

“Ne përballemi me nje armik të vendosur dhe pa dyshim, ata do të përpiqen të na godasin. Por siç po e tregojmë edhe këtë fundjavë, ne jemi vigjilentë. Po bëjmë gjithçka kemi në pushtetin tonë të mbrojmë njerëzit tanë dhe çfardolloj gjëje që do të hasim në rrugën tonë, si një komb që rigjenerohet, ne do të vazhdojmë përpara”, tha Obama.

Të dielën, më 11 shtator, presidenti amerikan do të vizitojë Kullat Binjake në Nju Jork. Pentagonin në Virxhinia dhe  Pensilvaninë, të goditur nga avionët e marrë peng nga terroristët. Fill pas sulmeve SHBA, nisi luftën në Afganistan dhe Irak, por sot presidenti amerikan thotë:

“Ata kërkojnë të na fusin në një luftë pa fund, duke dobësuar forcën dhe besimin tonë si komb. Por edhe sikur të ushtrojmë presion të vazhdueshëm mbi Al Kaedën, ne po i japim fund luftës në Irak dhe do të sjellim në shtëpi, ushtarët nga Afganistani. Pas një dekade të vështirë lufte, është koha që kombi të ndërtojë shtëpinë e tij”.

Duke iu referuar vrasjes së Bin Ladenit, Obama tha se lëvizjet demokratike në vendet arabe hodhën hije mbi trashëgiminë e Al Kaedës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA