Protesuesit serbe janë shpërndarë të qetë dhe kanë zhbllokuar
qarkullimin në Zubin Potok. Raportohet se, tashmë është liruar
qarkullimi i kamionëve dhe makinave të cilat ishin nisur nga Bërnjaku
në vend kalimin kufitar 31 në veri të bllokuara nga bashkësia e
ekonomistëve.
Sipas burimeve të Top Channel, situata u kontrollua nga forcat e shumta të KFOR-it francez. Protestuesit serbë, me këtë veprim derguan mesazhin e tyre se në këtë pjesë të Kosovës nuk janë të nevojshme doganat e Prishtinës zyrtare.
Po kështu sipas burimeve serbët kanë paralajmëruar Prishtinën se në rast se këmbëngul të instaloje doganat në këtë do të shkaktojnë sërish trazira.
Sekretari i Ministrisë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, në një intervistë ekskluzive për Top Channel paralajmëroi kryeministrin kosovar Hashim Thaçi që të mos marrë më vendime siç ishte ai i 25 korrikut, pasi në rast se do të përsëritet një gjë e tillë, reagimi i serbëve do të jetë i njëjtë. Po ashtu, përfaqësuesit serbë në qeverinë e Kosovës, Ivanovic i quan vegël të kryeministrit kosovar.
Veriu, EULEX studion kthimin e doganierëve
Misioni EULEX po shqyrton me institucionet e Kosovës mundësitë për rivendosjen e agjentëve doganorë në pikat kufitare në veri të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i misionit evropian për rendin dhe ligjin, Nicolas Hauton.
“Bashkë me institucionet e Kosovës po punojmë për vendosjen e kontrollit normal doganor në dy pikat kufitare. Ndërsa detajet konkrete janë në shqyrtim e sipër”, ka deklaruar Hauton.
Deklaratën e tij zëdhënësi e bëri pas asaj të kryeministrit kosovar Hashim Thaci, se më 16 shtator do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së vulave me Serbinë.
Kryeministri Thaci paralajmëroi gjithashtu se në pikat kufitare 1 dhe 31 do të vendosen agjentë dhe drejtues kosovarë.
Vulat, më 16 shtator implementimi i paktit
Qeveria e Kosovës ka vendosur që më 16 shtator të nisë implementimi i marrëveshjes me Serbinë për vulat doganore.
Kryeministri Hashim Thaci, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij deklaroi se, me këtë marrëveshje Serbia de jure ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nga 16 shtatori do të fillojë të zbatohet marrëveshja dhe të gjithë do t’i nënshtrohen rregullave të reja që do të aplikohen”, ka deklaruar Thaci.
Marrëveshja për vulat doganore mes Serbisë dhe Kosovës u arrit në raundin e bisedimeve të dy shtatorit, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Për t’u siguruar për arritjen e një marrëveshjeje, i dërguari i Catherine Ashton, Robert Cooper zhvilloi para kësaj date vizita në Beograd dhe Prishtinë.
Bogdanovic: Ditë të vështira për serbët në veri
I ashtuquajturi ministri për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic bëri thirrje që serbët e veriut të tregojnë unitet, sepse sipas tij, ditë të vështira po vijnë dhe ata duhet të përballen me prova të mëdha.
Bogdanovic, bën të ditur Kosovapress, ka deklaruar se Prishtina po kërcënon seriozisht me dërgimin e doganierëve në pikat kufitare dhe marrjen e këtyre pikave nën kontroll të saj.
“Është i papranueshëm fakti se në këto momente ka njerëz të cilët mendojnë ‘sa më keq, aq më mirë’ dhe se po tentojnë të keqpërdorin pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic.
Top Channel