Faktori politik vendor dhe ndërkombëtar kanë arritur një marrëveshje për funksionimin e doganave në pikat 1 dhe 31, në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas portalit të lajmeve “Indeks Online”, palët janë pajtuar të premten që këto dy pika kufitare të vihen nënkontroll të EULEX-it, por në mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.
Po kështu, sipas marrëveshjes, doganierët dhe policët kosovarë do të rikthehen në këto pika përherë të parë pas shpalljes së pavarësisë.
Komanda, sipas burimeve të Indeksonline, do të jetë nën autoritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Më tej thuhet se të gjitha mallrat që kanë akcizë, si alkooli e duhani, nuk do të lejohen në pikën 1 dhe 31, por ato do të kalojnë nëpër kalimin kufitar Merdarë.
Mallrat e tjera do t’i nënshtrohen detyrimit doganor. Përgjegjës për situatën e sigurisë mbeten forcat paqëruajtëse të KFOR-it.
Pjesë e hartimit të kësaj marrëveshjeje thuhet se janë kryeministri Hashim Thaçi, komandanti i KFOR-it, Buhler, përfaqësuesi i përkohshëm i BE-së Gentilini, ambasadori amerikan Dell, ministri i Brendshëm Rexhepi, ministrja e Integrimeve Çitaku dhe zëvendëskryeministrja Tahiri.
Top Channel