
Ministri i ri i Tregtisë në Japoni ka dhënë dorëheqjen pasi e quajti
zonën rreth impiantit bërthamor të Fukushimës një “qytet fantazmë”.
Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë japoneze, sipas të cilave Yoshio Hachiro ka bërë edhe një “prapësirë” tjetër.
Pasi ka vizituar zonën e goditur nga tërmeti dhe tsunami i 11 marsit, ai ka fërkuar xhaketën e tij tek rrobat e një gazetari duke i thënë: “Do të të jap pak radioaktivitet”.
Deklaratat e zotit Hachiro janë kritikuar nga opozita dhe e kanë nxitur këtë të fundit që të kërkojë dorëheqjen e tij.
Kryeministri Yoshihiko Noda, që e caktoi atë në detyrë më dy shtator, tha më vonë se deklaratat e tij ishin të gabuara.
“Më vjen keq ta them, por qytetet dhe fshatrat rreth zonës së Fukushimës janë qytete fantazma. Nuk sheh një shpirt në horizont”, kishte thënë ministri Hachiro në një konferencë ditën e enjte.
Kryeministri Noda shprehu keqardhjen e tij për këtë deklaratë dhe kërkoi nga ministri që të kërkonte ndjesë.
Por Tadamori Oshima, nënkryetar i Partisë Liberal Demokrate, më e madhja e opozitës, i kritikoi ashpër deklaratat dhe tha se ndjesa nuk mjaftonte.
“Është një deklaratë që u heq banorëve të prekur shpresën dhe që e bën të domosdoshme dorëheqjen e tij si ministër”, u shpreh Oshima.
Top Channel