“Tragjedia e asaj dite është rënduar nga preteksti i atentatorëve për të vepruar në emër të Zotit”.
Kështu është shprehur Papa Benedikti XVI, në një letër dërguar arqipeshkvit të Nju Jorkut, Timothy Dolan, në kuadër të 10-vjetorit të 11 shtatorit.
“Edhe njëherë duhet të theksohet pa asnjë keqkuptim se, asnjë rrethanë nuk justifikon aktet e terrorizmit”, ka thënë ati i shenjtë.
Nesër në ground zero të Nju Jorkut do të mbahet një ceremoni përkujtimore në nder të viktimave të atentateve terroriste.
Në të do të jetë i pranishëm presidenti amerikan Barack Obama, i shoqëruar nga pasardhësi i tij, George W. Bush.
Me urdhër të të zotit të shtëpisë, kryebashkiakut Michael Bloomberg, në këtë ceremoni nuk do të mbahen fjalime, por vetëm do të recitohen poezi.
Ky është përkujtimi i parë i ditës tragjike që ndryshoi botën, pas vrasjes së sheikut të terrorit Osama bin Laden, që konsiderohet dhe arkitekti i sulmeve.
Ndërkohë, masat e sigurisë në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në Nju Jork dhe Uashington, janë në nivelet maksimale nga frika e ndonjë akti terrorist.
Autoritetet përgjegjëse deklarojnë se nuk kanë informacione për ndonjë sulm specifik, por u druhen sulmeve individuale.
Top Channel