Rreziku i fshehur në objektet e përditshme

06/09/2011 11:45

Në Manhatan, mjafton të vizitosh sajtin “healthydwellings.com”
(“shtëpitë e shëndetshme.com”) dhe të fiksosh takimin me 35-vjeçarin
Matthew Waltezke, i cili ka studiuar në “Institute for Bau-Biologie
& Ecology”, në Florida, duke u mbështetur në eksperimentet-pilote të
lindura në Gjermani.

Waltezke vjen në shtëpinë tuaj me një arsenal që të kujton gjuetarët e fantazmave, të armatosur me mjete misterioze shtëpiake. Por fantazmat të cilat ai përpiqet të kapë janë të vërteta. Ai përdor një matës shumëdrejtimësh me frekuenca radioje, një lloj kompasi elektronik për forcën tërheqëse dhe një pajisje tjetër me lagështirë.

“Mund të çuditeni, por në një vend të madh të zhytur në smog siç është Nju Jorku, ndotja në rrugë është më e vogël se 50 për qind në krahasim me atë që thithim mes mureve të shtëpisë”, – shpjegon biologu. Pikërisht në vendin që mendojmë se ndihemi plotësisht të sigurt, jemi më të rrezikuar. “Slow Death by Rubber Duck” është titulli ironik i një studimi të publikuar nga dy shkencëtarë ambientalë kanadezë, ndërsa nëntitulli është: “Rreziku i fshehur në objektet e përditshme”.

Nga soba te mikrovala, ekrani i sheshtë i televizorit, detergjentet për pllakat dhe banjën, duket se gjithçka është programuar për të na vrarë. Analiza e parë e biologut u dedikohet pajisjeve elektroshtëpiake. Për të gjithë ata që nuk e dinë, edhe frigoriferi lëshon rrezatim. Për fat të mirë, rrezet e tij veniten në 30 centimetra largësi. Mikrovala vazhdon të na bombardojë me rreze në një distancë prej dy metra e gjysmë. Biologu Waltezke vazhdon më tej me rrezet e telefonit dhe kompjuterit, çelësat e fikjes e ndezjes së dritave, që sot kanë dalë jashtë modës apo ato të tjerat të cilat rregullohen sipas intensitetit të ndriçimit.

“Mes pajisjeve elektronike të shtëpisë, makinave, antenave mbi çatitë e shtëpive dhe grataçielave, njeriu është kavia e një eksperimenti gjigant biologjik i bazuar në ‘stuhitë’ elektrike”, – shpjegon një ekspert tjetër. Armiqtë e tjerë janë më pak “hi-tech”. Matësi i këtyre “armiqve” të shëndetit tregon në veçanti se ku janë fshehur këta keqbërës brenda mureve të shtëpisë, që zakonisht gjenden në banjë dhe kuzhinë: përqindja e personave të prekur nga alergjitë, astma dhe shqetësimet e tjera në rrugët e frymëmarrjes lidhur me mykun, po rritet në mënyrë të paimagjinueshme.

Po uji që pimë?

Ambientalistët kritikojnë maninë e ujërave minerale, që përveçse mbushin planetin me shishe plastike, rrisin edhe emetimin e CO2 (për transportin). Megjithatë, uji që rrjedh nga rubineti nuk është aq i kulluar sa mendojmë. Në Nju Jork, uji i rubinetit përmban fluor, klor, madje edhe gjurmë arseniku.

Biologu i shtëpisë, Waletzke zbraz dollapin e vogël të banjës për të shqyrtuar “vrasësit” që ka analizuar vetë ai: produkte kozmetike të mbushura me substanca kimike vdekjeprurëse, siç janë disa përbërës te shampot. Natyrisht që nuk përjashtohen sendet e cilësuara “New Age”: “Nuk duhet të përdorni asnjëherë qirinj aromatizues, çdo gjë që lëshon aromë të helmon, nuk ka rëndësi se sa erë të mirë mban”, – urdhëron Waletzke. Vizita e tij e parë në apartament, që zgjat tri orë, kushton 375 dollarë. Ajo përfundon me një diagnozë të shpejtë, saktësisht tetë letra formati të bardha që i bashkëngjiten një e-mail-i, përfshi këtu edhe një listë përshkrimi. “Qëllimi im është të identifikoj të gjithë elementët fizikë me rrezikshmëri të lartë, ushqimet e prishura, plastiket kancerogjene dhe detergjentet helmues”, – shpjegon biologu i shtëpisë. “Ju nuk jeni të aftë ta kontrolloni ndotjen e planetit që ju sulmon çdo ditë sapo dilni nga shtëpia. Të paktën brenda mureve të shtëpisë keni një zgjidhje”. Për shembull, lyejini të gjitha muret e shtëpisë me ngjyrë karboni, të zezë me shkëlqim, sepse ajo thith deri në 97 për qind të valëve elektromagnetike. Gjithashtu, mund t’i vishni muret me letër kërpi natyral, që është një alternativë më pak e kushtueshme. Për ujin janë të detyrueshëm filtrat (Oliver Stone ka një këshillues të posaçëm vetëm për këtë “biologun e ujërave të shtëpisë”, që merr 1000 dollarë për një ndërhyrje). Për ata që nuk kanë para, zgjidhja më e mirë do të ishte mbajtja hapur e dritareve.

Një mënyrë tjetër për të mbajtur larg armiqtë e shëndetit është përdorimi i metodave të vjetra të gjyshërve. Të gjithë e mbani mend se gjysheve u pëlqente të përdornin uthullën për të pastruar: është një detergjent pothuajse universal, që nuk ju dëmton dhe nuk ka aromë të këndshme si ajo e parfumit “Channel N.5”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA