Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka udhëtuar sot për në Bruksel, ku në ditët e ardhshme do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të BE-së.
Lajmin e bën të ditur presidenca kosovare, sipas të cilës zonja Jahjaga do të takohet me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton dhe presidentin e BE-së, Herman Van Rompuy.
Sipas burimeve, presidentja do të takohet edhe me komisionerin për Zgjerimin, Shtefan Fyle, kreun e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
KE: Kosovë-Serbi të normalizojnë raportet
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic ka deklaruar se Brukseli pret që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës të normalizohen sa më parë.
Kocijancic ka nënvizuar se bashkëpunimi rajonal është një kusht për të gjitha vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
“Ky është qëndrimi ynë, tashmë shumë i njohur. Aktualisht jemi të përqendruar tek bisedimet, ku BE-në e përfaqëson Robert Cooper”, ka deklaruar Kocijancic.
Top Channel