Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka rrëzuar hipotezën për një dalje të Greqisë nga zona euro.
“Një gjë e tillë mund të pasohet nga një efekt domino që do të ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm për sistemin tonë valutor”, ka deklaruar Merkel.
Në një konferencë për shtyp pas një mbledhjeje të presidencës së CDU-së, Merkel ka thënë se Greqia tani duhet të angazhohet për të mbajtur të gjitha premtimet e bëra në këmbim të ndihmave.
“Dalja nga eurozona nuk është opsion për asnjë nga vendet anëtare. Mendoj se tashmë është një detyrim që të gjitha vendet që anëtarësohen të mbeten pjesë e saj”, ka nënvizuar Merkel.
Kancelarja është shprehur optimiste për votimin e parashikuar për më 29 shtator në Bundestag, mbi përforcimin e fondeve të shpëtimit.
“Pavarësisht ndasive elektorale, koalicioni qeveritar i formuar nga CDU dhe liberalët do të mund të mbështetet tek mazhoranca”, ka shtuar Merkel.
Greqia nuk po realizon reformat
Reforma për kufizimin e borxheve shtetërore në Greqi po përparon më ngadalë se sa është shpresuar.
Kreditorët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar Athinën zyrtare që të ripërpunojë planet për buxhetin e vitit 2012. Një delegacion për vlerësimin e gjendjes, i dërguar nga Bashkimi Evropian, FMN-ja dhe Banka Qendrore Evropiane, është larguar papritur nga Athina.
Diplomatët evropianë shpjeguan se nuk është pëgatitur një listë e sipërmarrjeve të parashikuara për privatizim. Nuk janë përgatitur as planet për tatime dhe kursime.
Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos ka hedhur poshtë raportet për grindje me kontrollorët ndërkombëtarë. Ai tha se atmosfera në bisedime ishte e “mirë dhe produktive”, ndërsa “kontrollorët do të kthehen sërish brenda 10 ditësh”.
Top Channel