Marrëveshja e arritur për vulat doganore mes Prishtinës dhe Beogradit e ka afruar Serbinë drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës, shkruan në numrin e sotëm të saj e përditshmja sllovene “Delo”.
“Edhe pse vula doganore, e cila ka si objektiv normalizimin e qarkullimit të mallrave, nuk do të përmbajë simbole shtetërore të Kosovës, ajo e afron Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, shkruan gazeta.
E përditshmja “Delo” gjithashtu vlerëson se rezultatet në raundin e fundit të bisedimeve janë arritur për shkak të trysnisë që Brukseli ka ushtruar mbi Beogradin e Uashingtoni mbi Prishtinën.
“Për këtë arritje është kujdesur edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila pa doreza diplomatike ka deklaruar se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga përparimi në raportet Beograd–Prishtinë”, shkruan gazeta sllovene.
“The Economist”: Serbia po prek fundin
“Kancelarja gjermane Angela Merkel ka fundosur anijen e politikës së jashtme të Serbisë”.
Kështu shkruhet në një artikull të së përjavshmes britanike “The Economist”, e cila do të botohet ditën e shtunë.
“The Economist” vlerëson se Serbisë po i ecte gjithcka mirë në rrugën drejt BE-së, derisa në Beograd vajti kancelarja Merkel.
Kjo e fundit, kujton gazeta, i bëri të qartë presidentit Tadic se, nëse do të anëtarësohet në BE, duhet të shpërbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës.
Kushtet e Merkel për Beogradin
Serbia nuk ka mundur t’ia kthej fjalën menjëherë kancelares gjermane, Angela Merkel.
Por vizita e saj në kryeqytetin serb nuk i ka gëzuar të gjithë dhe nuk ka qenë një lajm i mirë.
Deklaratat e saj për heqjen e institucioneve paralele në Kosovë ka vënë Serbinë edhe para një dileme që deri tani nuk ishte ushqyer si e tillë.
Top Channel