Një tjetër cështje e prekur nga presidenti Topi dhe homologu nga Hondurasi, Sosa, ka qenë ajo e Kosovës.
Presidenti Topi ka falenderuar presidentin e vendit latin për njohjen e pavarësisë së shtetit të ri.
“Falenderova presidentin Sosa për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij. Njohja e kosovës është një shenjë respekti ndaj së drejtës legjitime të popullit kosovar”, ka pohuar Topi.
Ndërsa Sosa nga ana e tij ka deklaruar se, populli i Kosovës ka të drejtë të jetojë i lirë e i pavarur dhe ka shtuar se Hondurasi do kontribuojë për njohje të tjera.
Sosa dhe Berisha: Njohje të reja
Falenderime në drejtim të vendit latin janë bërë edhe nga kryeministri Berisha, i cili ka vlerësuar edhe miqësinë e vendit fiqnj, Salvadorit, me Shqipërinë dhe Kosovën.
“Falenderojmë Hondurasin dhe vendin fqinj të tij, Salvadorin, për miqësinë me Shqipërinë, Kosovën, etj. Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Berisha.
Ndërsa Sosa, nga ana e tij ka shprehur dëshirën që Kosova të njihet nga vendet e mbarë botës. Ai ka përshëndetur në këtë drejtim angazhimin e zotit Behgjet Pacolli, i cili ka lobuar për njohjen e pavarësisë në Honduras dhe Salvador.
“Jemi në një rrugë ku shumë shpejt ata që nuk e kanë njohur Kosovën do të bëjnë njohjen zyrtare të saj. Insistoj se kjo është një e drejtë që i korrespondon popullit kosovar”, ka pohuar Sosa.
Topi: Kosova çështje e mbyllur
Gjatë Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, presidenti Bamir Topi u takua me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç.
Gjatë një interviste për Top Channel, kreu i Shtetit deklaroi se marrëdhëniet me Serbinë përbëjnë prioritet me rëndësi të politikës rajonale të Shqipërisë, e cila synon të ndërtojë raporte të mira dhe konstruktive, në interes reciprok të dy vendeve.
Ndërsa përsa i takon Kosovës, Topi theksoi se “çështja e statusit dhe kufijve është përfundimisht e mbyllur”.
“Kemi trajtuar çështje që i përkasin Kosovës. Unë kam mbajtur një qendrim që tashmë dihet qendrimet që mbajnë institucionet e Shqipërisë, realiteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, është një shtet i cili me të gjitha problemet që konsiderohen për t’u trajtuar me Serbinë do të trajtohen pikërisht nën kujdesin e Bashkimit Evropian, probleme të karakterit teknik që nisen nga pozocione të qarta të dy vendeve të pavarura dhe sovrane. Padyshim qendrimi i presidentit Tadiç është ndryshe, por unë besoj që njohjet e vazhdueshme që vijnë nga vende të ndryshme, tashmë janë 81 vende që njohin Kosovën, e bëjnë Kosovën një vend i cili të ardhmen e ka sikurse edhe vendet e tjera të rajonit në BE në një rrugë të pakthyeshme”, theksoi Topi.
Top Channel