Nëse deputeti Fatmir Limaj do të gjykohet në liri, apo nëse EULEX-i do të zbatojë fletë-arrestin ndaj tij, varet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila pritet të deklarohet në lidhje me imunitetin e deputetëve dhe të zyrtarëve të tjerë shtetërorë.

Dhe kjo vjen pasi që në këtë rast ende është në fuqi fletë-arresti ndaj Limajt i lëshuar nga prokurori i EULEX-it.

Avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka shpjeguar për Top Channel se nëse Gjykata Kushtetuese e interpreton se imuniteti i mbron deputetët për veprat që dyshohet se i kanë kryer gjatë kohës kur nuk kanë qenë deputetë, atëherë ai do të gjykohet në liri dhe në rastin e kundërt EULEX-i mund të zbatojë fletë-arrestin ndaj tij.

“Nëse Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj vendos se deputetët nuk kanë imunitet për kohën kur nuk kanë qenë deputet, atëherë mund të vijë deri tek implementimi i urdhër-arrestit të cilin EULEX-i e ka lëshuar disa muaj më parë për Fatmir Limajn. Nëse Gjykata Kushtetuese vepron ndryshe dhe intepreton se deputetët kanë imunitet permanent, derisa e gëzojnë atë status, atëherë gjykimi i ardhshëm do të mbahet dhe Fatmir Limaj do të jetë në liri”, është shprehur Gashi.

Sipas avokatit, klienti i tij Limaj, ndaj të cilit EULEX-i ka konfirmuar akt-akuzën me dyshimet se janë kryer krime lufte në vendin e quajtur Kleçkë, gjatë kohës kur pretendohet se janë kryer këto krime ka paraqitur alibinë se ka qenë në Shqipëri.

“Zoti Limaj tek prokurori i EULEX-it kur është marrë në pyetje nga ai, ka deklaruar se për periudhën kohore për të cilën është ngritur kjo akt-akuzë, ai ka qenë në Shqipëri dhe ka qenë i dërguar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për përgatitjen e operacionit ‘Shigjeta’”, është shprehur Gashi.

Për të dëshmuar në lidhje me këtë alibi të z. Limaj, Gashi thotë se është bërë një listë me 13 emra nga ish Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ku përfshihet edhe kryeministri Hashim Thaçi, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe të tjerë, të cilët është kërkuar që të dëshmojnë në Gjykatë në lidhje me këtë.

Po ashtu, EULEX-i gjatë së premtes ka konfirmuar se akt-akuza është ngritur edhe për nëntë ish pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. Gjykata Kushtetuese, si organ për interpretimin e Kushtetutës pritet që brenda muajit shtator të thotë fjalën e vetë në lidhje me imunitetin jo vetëm të deputetëve, por edhe të zyrtarëve të tjerë, sipas kërkesës së qeverisë.

Limaj, padi kundër qeverisë

Fatmir Limaj, ndaj të cilit misioni europian EULEX ka konfirmuar
aktakuzën nën dyshimin se ka kryer krime lufte, bëri të ditur se po
përgatit një padi ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Hashim
Thaçi.

Limaj e arsyeton lëvizjen e tij me faktin që qeveria kosovare i drejtoi një kerkesë Gjykatës Kushtetuese për t’u deklaruar në lidhje me imunitetin e deputetëve dhe të zyrtarëve të tjerë shtetërorë.

Ky veprim i saj, sipas Limajt, ka qenë anti-kushtetues. “Koha do ta dëshmojë një gjë të tillë, – citohet të ketë thënë ai – dhe të njëjtën gjë do të bëj edhe unë”.

Limaj paralajmëroi gjithashtu se do të bëjë publike fakte dhe emrat e individëve që ngritën të dy rastet kundër tij, atë të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit dhe çështjen Kleçka.

Ky me sa duket është shpagimi i Fatmir Limajt që deklaron se nuk do të kursejë askënd.

Sipas tij, bëhet fjalë për personalitete të larta, vendase dhe ndërkombëtare, emrat e të cilëve do t’i tregojë me të filluar gjykimi. Duke u shprehur i sigurtë në triumfin e drejtësisë, ish-Komandant Çeliku, tha se koha do të tregojë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe ky rast nuk është asgjë tjetër përveç një fabrikimi për interesa politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA