Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i është kundërpërgjigjur
deklaratave të presidentit serb Boris Tadic, për Kosovën dhe
trashëgiminë kulturorë të saj, në samitin e nëntë të UNESCO-s që po
mbahet në qytetin romak të Viminaciumit afër Pozharevcit.

Topi ka deklaruar se kultura është mjet për të afruar popujt dhe se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duhet të ishte në këtë takim ku janë mbledhur presidentët e të gjitha vendeve të Evropës Juglindore.

“Kosova, me kulturën e saj të vjetër dhe të re, me artin e saj modern e bashkëkohor, me zërat e saj më të artikuluar, do t’i forcojë lidhjet politiko- kulturore me popujt e tjerë në rajon dhe sidomos me fqinjët. Për këtë duhet vullnet i gjithanshëm, sepse pajtimi është plotësisht i mundur. Popujt nuk mund dhe nuk duhet të jetojnë me tensione dhe me komplekse që vijnë nga e kaluara, por në paqe e në harmoni dhe sigurisht, gjuha e artit, pluraliteti i tij janë instrumente shpirtërore të pazëvendësueshme komunikimi”, tha Topi.

Takimi ka vazhduar pas pritjeve solemne me sesionin e diskutimeve. Takimin e ka hapur presidenti Tadic, i cili ka deklaruar se një nga çështjet më të rëndësishme për Serbinë është statusi i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore në Kosovë.

“Këto objekte të shenjta paraqesin vetëm thelbin e identitetit serb. Fizikisht ato janë të rrezikuara nga ekstremistët, janë mbi 150 kisha e manastire, prej të cilave 35 u dogjen në trazirat e marsit 2004. Jemi dëshmitar të perpjekjeve politike të Prishtinës që këto pjesë të identitetit serb të kosovarizohen. Por, ato duhet të mbeten trashëgimi e Serbisë”, tha Tadic.

Presidentët gjatë qëndrimit në qytetin antik kanë bërë edhe shëtitje në zona të ndryshme të gjurmimeve arkeologjike për të vazhduar me sesionin e pasdites. Ata do të kenë më pas një deklaratë të përbashkët,
ndërsa Topi do të takoj presidentin serb dhe atë maqedonas dhe drejtoren e përgjithshme të UNESCO-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA