Maqedonia dhe Serbia kanë qëndrime të ndryshme përsa i përket Kosovës,
por kjo nuk do t’i pengojë dy vendet që të bashkëpunojnë me
njëra-tjetrën.
Në këtë përfundim kanë dalë dy presidentët, Gjorgje Ivanov dhe Boris Tadic, të cilët u takuan dje në Beograd, gjatë samitit të nëntë të UNESCO-s.
“Pozicionet e ndryshme lidhur me Kosovën dhe cështja kishtare nuk janë dhe nuk do të guxojnë të jenë pengesë për zhvillimin e përbashkët dhe bashkëpunimin mes Maqedonisë dhe Serbisë”, kanë deklaruar njëzëri dy presidentët.
Organizator i takimit ishte presidenti serb Boris Tadic, i cili ftoi të gjithë liderët e vendeve të Evropës juglindore, me përjashtim të Kosovës.
Takimi kishte në qendër ripajtimin dhe trashëgiminë, ndërkohë që pritet që krerët e shteteve të dërgojnë një mesazh për bashkëjetesën dhe pajtimin e vendeve të rajonit.
Tadic: Nuk largohemi nga veriu
Presidenti serb Boris Tadic ka deklaruar me pare se Serbia është e gatshme të rinisë dialogun me Kosovën, por nga ana tjetër ka ritheksuar se tërheqja e institucioneve serbe nga veriu është e papranueshme.
“Për ne është e papranueshme heqja e institucioneve serbe në veri të Kosovës, si kusht për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Tadic.
Këto komente presidenti serb i ka bërë nga Praga, ku është pritur në një takim nga homologu cek, Vaclav Klaus. Tadic ka ritheksuar edhe njëherë se për sa kohë ai do të jetë president, Serbia s’do ta njohë kurrë Kosovën.
“Serbia nuk do ta njohë Kosovën sa të jem unë president dhe nuk do ta bëjë këtë as pas kësaj periudhe. Sa për heqjen e institucioneve që ofrojnë shëndetësi, arsim dhe që punojnë legalisht, Serbia nuk do ta pranojë kurrë si kusht për afrimin me BE-në”, ka nënvizuar Tadic.
Top Channel