Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ka akuzuar sërish Beogradin se po fsheh strukturat kriminale në veri të Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen franceze “La Croix”, Hoxhaj ka theksuar se Serbia duhet t’i shpërbëjë menjëherë këto struktura, në mënyrë që në veri të vendoset paqja, stabiliteti dhe bashkëjetesa.
“Serbët janë të përfaqësuar në qeverinë qendrore, në Parlament dhe në gjashtë komuna. Plani i Ahtisaarit garanton të drejtat dhe përfaqësimin e minoritetit serb si askund tjetër në Evropë. Ky plan duhet të zbatohet në veri të Kosovës, prandaj është koha që Serbia të shpërbëjë strukturat shtetërore dhe paraushtarake”, ka deklaruar Hoxhaj.
Hoxhaj: Tadic, nxitës i dhunës
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj akuzon presidentin serb Boris Tadic, për nxitje të dhunës në veri të Kosovës.
Duke folur në një intervistë për të përditshmen zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, cituar nga RTK, ministri Hoxhaj deklaron se Serbia po përkrah strukturat kriminale në veri.
“Presidenti i Serbisë Tadic, ministrat e Qeverisë serbe kanë nxitur dhunën në veri. Zhvillimet e fundit dramatike në ditët e shkuara janë organizuar dhe financuar nga Qeveria në Serbi. I dërguari i Serbisë në dialog vjen ilegalisht në Kosovë dhe mban fjalime që të kujtojnë luftërat e viteve 90-të. Serbia ende nuk ka arritur të përpunojë të kaluarën”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj: Serbia kërkon ndarjen e Kosovës
Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ka akuzuar Beogradin se po përpiqet të zgjerojë hartën e tensioneve, me qëllim realizimin e “ëndrrës” së tij për ndarjen e Kosovës.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Hoxhaj është shprehur se ndarja e Kosovës është një rrezik konkret, që mund të ndodhë nëse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët.
“Kjo para së gjithash varet nga mënyra se si do të reagojnë fuqitë perëndimore. Nga mënyra se si vendet anëtare të NATO-s do të mbështesin praninë dhe punën e KFOR-it në këtë pjesë të territorit tonë dhe nga presioni i diplomacisë ndërkombëtare ndaj Beogradit”, ka deklaruar Hoxhaj.
Sipas tij, opsioni i ndarjes së Kosovës po shqyrtohet gjithnjë e më shumë nga pala serbe, sidomos pas arrestimit të ish-gjeneralit Ratko Mlladic, që ishte pengesa kryesore për në BE.
Top Channel