Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka deklaruar se njohja e
Kosovës nuk është kusht formal për Serbinë, për afrimin e saj me BE-në.
“E kam thënë disa herë pozicionin e mirënjohur të KE-së, se njohja e Kosovës nuk është kusht formal për integrimin evropian të Serbisë”, ka deklaruar Fyle.
Deklaratën e tij, komisioneri e bëri pas një takimi të zhvilluar me deputetin e opozitës serbe, Tomisllav Nikolic.
Fyle e ka vënë theksin tek rëndësia e bisedimeve dypalëshe, të cilat sipas tij duhet të gjejnë zgjidhje optimale për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Duhet ende të arrihen zgjidhjet për një seri cështjesh, të cilat pengojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka nënvizuar Fyle.
“Është jetike që vijimi i dialogut Prishtinë-Beograd të japë rezultate të mëtejshme, që do të përmirësonin jetën e përditshme të banorëve”, ka shtuar Fyle.
Merkel i vendos kushte Serbisë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka dhënë Serbisë tri porosi për progres para marrjes së statusit të kandidatit: rezultate në bisedimet me Kosovën, shtrirjen e EULEX-it dhe veprimin në tërë territorin dhe heqjen e institucioneve paralele.
Udhëheqja e shtetit gjerman, jo shumë e relaksuar, ka folur në mënyrë të hapur gjatë vizitës së saj në Serbi. Ajo ka thënë se nuk ka frikë për asgjë dhe nuk mund të ketë frikë as për veriun. Sipas saj, politikanët ekzistojnë për të zgjidhur probleme të vështira. Merkel ka treguar se në Gjermani jetojnë rreth 300 mijë serbë dhe se shteti i saj e sheh të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian, por edhe të vendeve të rajonit.
“Gjermania ka pranuar Republikën e Kosovës, kurse Serbia nuk e ka bërë këtë. Në këtë situatë na duhet një progres, rezultate në dialog”, ka thënë ajo.
Kancelarja gjermane ka përshëndetur guximin e mikpritësit të saj, presidentit Boris Tadic, për arrestimin e të kërkuarve për krime lufte dhe ka thënë se ka një optimizëm lidhur me të ardhmen. Presidenti serb ka theksuar se Serbia drejton një politikë të ripajtimit dhe paqes në rajon dhe se dëshiron të zgjidhe problemet me Kosovën. “Ne e dimë që nuk duhet të dërgojmë edhe një konflikt në Bashkimin Evropian dhe duam ta zgjidhim problemin me Kosovën duke gjetur një kompromis, por ne kemi metodat tona të zgjidhjes dhe nuk e njohim Kosovën”, ka thënë ai. Merkel ka qëndruar në Serbi në kuadër të vizitës pas asaj që i bëri shtetit kroat.
Të pakënaqurit me Merkel
Deklaratat e Merkel për heqjen e institucioneve paralele në Kosovë ka vënë Serbinë edhe para një dileme që deri tani nuk ishte ushqyer si e tillë.
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç është i kënaqur dhe i pakënaqur me vizitën. Ai ka thënë se sa i përket Kosovës pajtueshmëria është shumë e vogël, përveç faktit që duhet ruajtur qetësinë dhe stabilitetin.
Zyrtarët serbë kanë thënë se është e papranueshme për momentin për Serbinë që të heqin institucionet nga Kosova.
Ndërkohë një pjesë thonë se ky është një mesazh i qartë për zbatimin e planit të Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës.
Gjatë vizitës së Merkel në Serbi askush nuk ka komentuar rekomandimet e qarta të saj dhe nuk ka pasur përgjigje. Por, ka pasur të tillë që edhe këtë vizitë e kanë konsideruar si rrënim të Serbisë para interesave kombëtare.
Top Channel