Serbia do të pranojë vulat kosovare vetëm nëse ato do të mbajnë mbishkrimin “Dogana e Kosovës”.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja serbe “Novosti”, e cila iu referohet burimeve diplomatike pranë Bashkimit Evropian.

Sipas gazetës, propozimi në fjalë do të diskutohet në raundin e dy shtatorit, ku do të jetë i pranishëm edhe negociatori evropian Robert Cooper.

“Ky është një kompromis që do të arrihet, pasi palët këtë zgjidhje mund ta interpretojnë sipas këndvështrimit të tyre”, shkruan “Novosti”.

Gazeta e njohur serbe citon burimet nga Brukseli që saktësojnë se në këtë propozim nuk është i pranishëm termi “Republika” dhe as ndonjë simbol i Kosovës.

Më herët negociatori serb Borko Stefanovic ka deklaruar se, për Serbinë janë të papranueshme vulat që mbajnë të shkruar termin “Republika e Kosovës”.

Burimi mediatik shton më tej se propozimi i ri u është dorëzuar tashmë të dyja palëve dhe është pranuar nga UNMIK, Prishtina dhe Beogradi.

Mosnjohja e vulave të Kosovës bëri që qeveria kosovare të aplikojë ndaj Serbisë masat e reciprocitetit, duke vendosur një bllokadë ndaj hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

Autoritetet kosovare kanë deklaruar se ishin të detyruara të ndërmerrnin masat në fjalë, pasi Beogradi pengonte eksportin e mallrave kosovare në Serbi dhe përmes Serbisë në BE.

Tahiri: Cooper në Prishtinë për ‘vulat’

I dërguari i Catherine Ashton në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper ka qenë disa ditë më parë në Prishtinë, ku ka biseduar me autoritetet vendase mbi raundin e ardhshëm të dialogut mes palëve.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri duke folur për Top Channel tregoi qëllimin e vizitës së Robert Cooper në Kosovë.

Në kuadër të çështjeve të diskutuara me zyrtarin evropian, peshën më të madhe, sipas zonjës Tahiri, e ka tema për vulat e doganave.

Zëvendëskryeministrja kosovare pret që Serbia nëpërmjet njohjes së vulave të doganave të Kosovës të dëshmojë se i respekton parimet europiane.

TCH: Duke pas parasysh kerkesat e Beogradit a do të hiqni dorë?

Tahiri: Për qëllimet e përgatitjeve të raundit të ardhshëm që mbahen më 2 shtator dhe gjatë bisedës së sotme e biseduam se çfarë çështjesh do të jenë në axhendë, të cilat do të jenë çështja e vulave, doganave të Kosovës, pastaj çështjet e telekomit, energjisë, katadastrave.

Shefja e delegacionit kosovar përsëriti qëndrimin tashmë të njohur se nuk do të diskutohet tërësia territoriale dhe tha se po e bën këtë për shkak të zërave që vijnë nga Beogradi për ndarjen e Kosovës.

TCH: Nuk do të diskutoni as për situatën në veri, sepse atje kanë ndryshuar nga koha kur e keni nisur ju dialogun?

Tahiri: Çështja e respektimi i vulave të doganave të Kosovës, që e kemi kërkuar, është linja e kuqe, nën këtë nuk pranojmë asnjë formulim tjetër. Mendoj se sfida e Serbisë në këtë rast është që të njoh parimet evropiane. Dialogu merret me zgjidhjen e çështjeve praktike mes dy shteteve, që kontribuon për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimet evropiane, ndërsa vendosja e sovranitetit në veri, shtrirja konsolidimi, integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, janë çështje të sovranitetit të shtetit tonë Në bazë të axhendës ne sot e diskutuam përsëri, por e pamë që ndoshta është më mirë të fokusohemi në ato tema që janë afruar drejt zgjidhjes, në mënyrë që t’u japim mundësi raundeve të tjera që të diskutojmë çështjen e të pagjeturve që e kemi hapur, çështjen e dëmeve të luftës dhe më pas do të kemi çështje të tjera si transporti, hekurudha etj.

Një çështje e re, që duket se ka pëlqimin e palës kosovare dhe Bashkimit Europian e që do të hapet në këtë raund bisedimesh, është bashkëpunimi rajonal.

Edita Tahiri tha se kjo është shtuar në axhendë me qëllim të eleminimit të pengesave që i bën Serbia Kosovës në bashkepunimin rajonal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA