Mospërfshirja e ndryshimeve në lidhje me besimin fetar, në ligjin për arsimin parauniversitar që u miratua të hënën në Kuvendin e Kosovës, po nxit ende reagime.

Ndryshimet e ligjit që ishin premtuar edhe nga kryeministri Hashim Thaçi kishin të bënim me përdorimin e shamisë islamike nëpër shkollat fillore dhe të mesme dhe futjen e lëndës fetare.

Ndaj dhe sot nxënësit vazhdojnë të kërkojnë atë që e quajnë të drejtë të tyre. Të vetmet institucione arsimore ku shamia mbahet pa pengesa janë universitetet.

E pikërisht disa studente të Universitetit të Prishtinës shprehen të habitura me vendimin e deputetëve për të votuar kundër.

Një prej tyre e cila thotë se është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë nuk pranon të flasë para kameras, por gjatë një bisedë ajo shprehet se ata që votuan kundër do të ndëshkohen me votë.

Një qytetare tjetër e cila nga mbulesa që mban në kokë lehtë dallohet se i takon besimit islam, shprehet po kështu e habitur me votën e deputetëve. Ajo thotë se ka vijuar mësimin edhe në Gjermani. Atje ka pasur rastin të shohë se si që nga shkolla fillore mësohet për fenë.

“Është një debat që duhet të behej prej kohësh sepse kjo është një e drejtë e jona, sidomos këta si arsye po gjejnë se po shkojmë në Evropë dhe kjo nuk lejohet. Përkundrazi unë mendoj se në vendet e Evropës jepet mësim për fenë. Unë kam jetuar jashtë dhe kam bërë mësim për lëndë të krishtera”, thotë Haxhaj.

Elvana tregon se në universitet është pranuar pa ndonjë problem përkundër shamisë. Shkollën e mesme e ka përfunduar në medresenë “Alaudin”, por thotë se është e padrejtë që bashkëmoshatarët e saj të mos pranohen në shkollat që ato zgjedhin.

“Është ende problamatike për shkollën fillore dhe të mesme që në fakt nuk duhet të jetë. Jam dakord që t’i duhet t’i përshtatesh vendit, por mbulesa nuk është asgjë, thjeshtë një shami mbi kokë”, shprehet Haxhaj.

Ndryshimi i ligjit apo referendumi janë rrugët e tjera që mund të ndjekin deputetët e Partisë së Drejtësisë për të plotësuar këto kërkesa.

“Unë mendoj se nuk është një ide e keqe. Le të vihet në pahë vullneti i qytetarëve të Kosovës. Ne jemi ndjerë të fuyer jo vetëm, nga deputetë të opozitës, por edhe nga deputetë, pjesë e koalicionit qeveritar”, deklaroi Gëzim Kelmendi, deputet i Partisë së Drejtësisë.

Kërkesave të deputetëve të Partisë së Drejtësisë u është bashkuar edhe lëvizja “Bashkohu” e drejtuar nga Fuad Ramiqi. Protesta për këtë, por edhe për ndërtimin e xhamisë së madhe janë paralajmëruar të mbahen të premten në kryeqytetin kosovar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA