Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci, për “paralajmërim për dhunë” me deklaratat e tij se strukturat serbe në veri janë të lidhura me krimin dhe terrorizmin.

“Reagimi i Serbisë do të jetë i qetë, ndonëse institucionet e Prishtinës nuk janë imune ndaj krimit të organizuar dhe nuk mund të vendosin sundimin e ligjit në veri”, ka deklaruar Tadic.

Reagimi i presidentit serb ka ardhur pasi Thaci deklaroi sot në Kuvendin e Kosovës se, strukturat paralele serbe në veri po shndërrohen gradualisht në struktura paraushtarake, “përgjegjëse për akte terroriste”.

Tadic: Nuk largohemi nga veriu

Presidenti serb Boris Tadic ka deklaruar se Serbia është e gatshme të rinisë dialogun me Kosovën, por nga ana tjetër ka ritheksuar se tërheqja e institucioneve serbe nga veriu është e papranueshme.

“Për ne është e papranueshme heqja e institucioneve serbe në veri të Kosovës, si kusht për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Tadic.

Këto komente presidenti serb i bëri pak ditë më parë nga Praga, ku u prit në një takim nga homologu cek, Vaclav Klaus. Tadic ka ritheksuar edhe njëherë se për sa kohë ai do të jetë president, Serbia s’do ta njohë kurrë Kosovën.

“Serbia nuk do ta njohë Kosovën sa të jem unë president dhe nuk do ta bëjë këtë as pas kësaj periudhe. Sa për heqjen e institucioneve që ofrojnë shëndetësi, arsim dhe që punojnë legalisht, Serbia nuk do ta pranojë kurrë si kusht për afrimin me BE-në”, ka nënvizuar Tadic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA