Ministri kosovar i Arsimit nuk bën të ditur emrat e komisionit për rishikimin e librave të historisë. Ministri Ramë Buja mosbërjen publike të emrave të komisionit ‘fantazmë” e arsyeton duke thënë se publikimi i emrave do të trazonte punën e tyre shkencore.

“Do ta mësoni kur ata të bëjnë raportin e plotësuar, të realizuar, atëherë do të mësoni se kush ishin ata që bënë këtë punë. E kam në qëllimin më fisnik të mundshëm që të mos trazohen ata njerëz që kanë punë për të bërë”, tha ministri, Ramë Buja.

Në anën tjetër autorët e librave të historisë, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj ndihen të fyer nga zhvillimet e fundit. Madje ata deklarojnë që nuk kanë asnjë informatë nëse Ministria ka formuar apo jo komision për këtë çështje.
 
“Nuk e di se cilat janë planet e Ministrisë së Arsimit. Ajo deri më tani nuk ka patur asnjë plan, asnjë kontakt që duhet ta merrte. Unë kam kontaktuar me historianët e tjerë në Kosovë dhe asnjëri prej tyre nuk ka pohuar se është anëtar i grupit që ka deklaruar ministri Buja. Unë nuk e di kush është dhe kush mund të jetë”, thotë historiani, Fehmi Rexhepi.

“Mendoj që i pari institucion që do të duhej t’i drejtohej edhe ministria edhe ministri Ramë Buja, duhet të ishte Insituti i Historisë si partner i thirrur. Unë nuk kam asnjë emër që mund të futen në komisionin e Ministrisë së Arsimit, por mendoj që Instituti i Historisë nuk mund të anashkalohet”, deklaron historiani tjetër, Frashër Demaj.

Një deklaratë tjetër që ka nxitur debat është edhe ajo e kryediplomatit turk gjatë vizitës në qytetin e Prizrenit, qytet të cilin e quajti “Jeruzalemin e turqve dhe Turqisë”. Deklaratat e tij nga historianët vlerësohen politike. Historianët rikujtojnë që një krahasim të tillë vazhdimisht e bëjnë edhe zyrtarët serb.

 “Kjo është një megalomani e Ministrit të Jashtëm turk dhe një përzierje, konkretisht një mungesë e strategjisë së tij përsa i përket Prizrenit. Derisa serbët e quajnë Prizrenin “Jeruzalemin e tyre”, qytet të Dushanit, vetëm se cari Dushan është kurorëzuar në Prizren, turqit tani e quajnë Jeruzalem të tyre, Mekë të tyre. Shtrohet pyetja: Ku janë shqiptarët? Ku është popullsia shqiptare që ka jetuar në Prizren 2 mijë vjet para Krishtit e deri në ditët e sotme. Qyteti i Prizrenit është qytet i popullsisë që jeton në Prizren, ku shumica dërrmuese, mbi 90 përqind janë shqiptarë”, komenton deklaratën e Davutoglu, historiani, Fehmi Rexhepi.

Ky debat ka nisur fillimisht nga ambasada turke në Prishtinë, më pas u bë publike gjatë një vizite të Ministrit të Arsimit të Turqisë, Omer Dinçer por debati u ashpërsua edhe më shumë pas vizitës së kryediplomatit turk Ahmet Davetoglu, i cili i krahasoi librat shkollor të historisë ku flitet për Perandorinë Osmane me kohën e Josip Broz Titos dhe diktatorit Enver Hoxha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA