Parisi zyrtar ka siguruar Prishtinën se Franca mbetet një partner i fuqishëm i shtetit të ri dhe integritetit territorial të tij.

Qëndrimi është shprehur gjatë një takimi të zhvilluar në Paris mes ministrit të Jashtëm francez, Allain Juppe dhe homologut kosovar, Enver Hoxhaj.

Ndër të tjera, Juppe ka shprehur mbështetjen e qeverisë së tij ndaj veprimeve të qeverisë së Kosovës për shtrirjen e ligjit në të gjithë territorin.

“Në sytë e Francës, integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm”, citohet shefi i diplomacisë franceze në një komunikatë të qeverisë kosovare.

Nga ana e tij, ministri Hoxhaj ka informuar homologun mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, duke nënvizuar se Prishtina ishte e detyruar të zbatonte masat e reciprocitetit.

“Qeveria kosovare ishte e detyruar të ndërmerrte masat e reciprocitetit ndaj mallrave serbe, pasi Kosova nuk ka eksportuar dot mallrat e saj në Serbi dhe përmes Serbisë në BE”, ka deklaruar Hoxhaj.

Shefi i diplomacisë kosovare ka shtuar më tej se, sot Kosova është një vend i sigurt dhe i qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA