Qëndrimi i myftiut të Kosovës, Naim Tërnava ka nxitur reagimin e shtresës intelektuale në Kosovë.
Shefja e departamentit të Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Hasnije Ilazi kritikon zotin Tërnava se doli kundër institucioneve të vendit pikërisht në festën e Fiter Bajramit, e cila promovon tolerancën mes të gjithë njerëzve.
Ajo kërkon nga shteti që ndaj kërcënimeve të tilla të dijë të mbrojë veten.
“Qëndrimi i tij tregon mospërfillje ndaj shtetit, një interes individual, por megjithatë kërkohet një mobilizim i tërë shoqërisë dhe shtetit, që duhet të dijë të mbrojë vetëveten nga kërcënime të ndryshme. Kjo është një situatë që s’duhet të anashkalohet”, deklaron Ilazi.
Hasnije Ilazi është një nga gratë intelektuale të cilat në grup kundërshtuan fenë në shkolla. Ajo tha se është kundër lëndëve që nëpërmjet leksioneve fetare tentojnë të predikojnë moralin në institucione shkollore, sepse sipas saj grupe të caktuara shoqërore nuk mund të përcaktojnë se cfarë është apo nuk është morali në shoqëri.
“Cilin moral do predikojnë ata kur të futet kjo lëndë? Nuk mund të gjykohet aspekti moral. Ajo që ka ndodhur në shoqërinë tonë është kriza morale si pasojë e ndikimit të perëndimit dhe unë nuk jam dakord me këtë”, shprehet Ilazi.
E teksa ideatorët e futjes së fesë në shkolla nuk kanë folur asnjëherë për plan-programin e saj, duke ia lënë këtë Ministrisë së Arsimit në të ardhmen, profesoresha Hasnije Ilazi thotë se në shkollat publike nuk mungojnë njohuritë për fenë.
Ajo kujton se fëmijët që në klasën e tretë mësojnë për religjionin si pjesë e kulturës në lëndën e edukatës qytetare. Kjo vazhdon edhe në shkollat e mesme dhe pastaj në universitet, ku për shembull mësohet filozofia dhe sociologjia e religjionit.
Top Channel