Mbledhja e Këshillit të Sigurimit mbi zhvillimet në Kosovë në raportin e
Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon, është shtyrë për nesër.

Mbledhja e parashikuar të zhvillohej sot, u shty për shkak të motit të keq dhe uraganit “Irene” që ka përfshirë pjesën verilindore të SHBA-së.

Seanca do te zhvillohet neser ne oren 10:00 ku pritet të shqyrtohet deklarata presidenciale e Rusisë me anë të së cilës kërkohet të gjykohet Prishtina për, siç thuhet përdorim të njëanshëm të dhunës. 

Me këtë propozim, kërkohet që faktorët ndërkombëtarë në Kosovë,
përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in, të “sillen në kornizat e mandatit të
bazuar në Rezolutën 1244”.

Njëkohësisht Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së do të prezantojë
raportin më të ri për gjendjen e sigurisë në Kosovë. Ban Ki-Mun në
raportin e rregullt për Kosovën fton të gjitha palët që të përmbahen nga
hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në
dialogun Kosovë-Serbi dhe ka apeluar që të mos ketë më ngritje të
tensioneve.

Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Kosovës në periudhën prej
16 prillit deri më 15 korrik, e cila përfshihet në raport, ka qenë
kryesisht e qetë, por tensionet janë ngritur kah fundi i kësaj periudhe,
thuhet në raport.

Kosova në Këshillin e Sigurimit do të përfaqësohet nga shefi i
diplomacisë Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të
Jashtme, Vuk Jeremiç. Po ashtu, në seancë për herë të parë si
përfaqësues i UNMIK-ut pritet të marrë pjesë shefi i ri i këtij misioni,
diplomati afgan Farid Zarif.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiç ka paralajmëruar se
Serbia në këtë seancë do të kërkojë “dënimin e përdorimit të njëanshëm
të dhunës” në veri të Kosovës. Madje, Jeremiç, pret që seanca e
Këshillit të Sigurimit të OKB-së të jetë e vështirë duke pas parasysh
kundërshtimin e shteteve të këtij trupi në lidhje me deklaratën
presidenciale, propozimin e së cilës e ka shtruar Rusia.  

“Mund të presim mbledhje të rëndë, sepse qëndrimet e disa shteteve të
rëndësishme të Këshillit të Sigurimit janë kundërshtuar ashpër”, ka
deklaruar Jeremiç për media serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA