Liderët serbë të veriut të Kosovës janë skeptikë në marrjen e ndonjë
përgjigjeje në letrën të cilën ditë më parë ia kanë dërguar sekretarit
të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.

Në letrën e dërguar kreut të Kombeve të Bashkuara, të ashtuquajturit kryetar të katër komunave serbe në veri të Kosovës, kanë akuzuar KFOR-in për jo neutralitet dhe kanë kërkuar nga ai që të kthehet në kufijtë e mandatit të tij, ndërsa detyrimet t’i zbatojë në përputhje me Rezolutën 1244.

Po ashtu, në këtë letër është kërkuar që KFOR-i dhe autoritetet e Prishtinës t’i shfuqizojnë menjëherë të gjitha masat që ua kërcënojnë komunitetit serb të drejtat dhe lirinë e lëvizjes.

Kërstimir Pantic, lider i serbëve të veriut të Mitrovicës, sipas REL, thotë se përmes letrës së dërguar Ban Ki Mun, është dashur informimi i tij për gjendjen në veriun e Kosovës dhe kanë kërkuar nga ai që të merren masa që kjo gjendje të mos përkeqësohet.

“Sekretarit të përgjithshëm i kemi dërguar letër dhe nga ai kemi kërkuar që gjendja të kthehet ashtu siç ka qenë para 25 korrikut. Kemi kërkuar që përmes dialogut, i cili tashmë ka filluar ndërmjet Beogradit zyrtar dhe delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, të gjenden zgjidhjet për të gjitha çështjet kontestuese, përfshirë këtu edhe çështjen e  pagesës së taksave administrative ose akcizës në vendkalimet kufitare”, thotë Pantic.

Ndërkaq, lideri tjetër i serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, pajtohet me përmbajtjen e letrës që i është dërguar Ban Ki Munit nga serbët, por ai vlerëson se këta të fundit nuk do të marrin ndonjë përgjigje lidhur me të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA