Të hënën Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë seancë për Kosovën ku pritet të shqyrtohet deklarata presidenciale e Rusisë me anë të së cilës kërkohet të gjykohet Prishtina për, siç thuhet përdorim të njëanshëm të dhunës.
Me këtë propozim, kërkohet që faktorët ndërkombëtarë në Kosovë, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in, të “sillen në kornizat e mandatit të bazuar në Rezolutën 1244”.
Njëkohësisht Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së do të prezantojë raportin më të ri për gjendjen e sigurisë në Kosovë. Ban Ki-Mun në raportin e rregullt për Kosovën fton të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve.
Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Kosovës në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik, e cila përfshihet në raport, ka qenë kryesisht e qetë, por tensionet janë ngritur kah fundi i kësaj periudhe, thuhet në raport.
Kosova në Këshillin e Sigurimit do të përfaqësohet nga shefi i diplomacisë Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç. Po ashtu, në seancë për herë të parë si përfaqësues i UNMIK-ut pritet të marrë pjesë shefi i ri i këtij misioni, diplomati afgan Farid Zarif.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiç ka paralajmëruar se Serbia në këtë seancë do të kërkojë “dënimin e përdorimit të njëanshëm të dhunës” në veri të Kosovës. Madje, Jeremiç, pret që seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të jetë e vështirë duke pas parasysh kundërshtimin e shteteve të këtij trupi në lidhje me deklaratën presidenciale, propozimin e së cilës e ka shtruar Rusia.
“Mund të presim mbledhje të rënd, sepse qëndrimet e disa shteteve të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit janë kundërshtuar ashpër”, ka deklaruar Jeremiç për media serbe.
Top Channel