Orët më të vështira në luftë me zjarret e verës se sivjetme po kalon Greqia. Mbi 110 vatra zjarri në shumë zona të vendit kanë djegur dhjetëra mijëra hektarë pyje dhe tokë bujqësore.
Për të katërtën ditë flakët djegin pa pushim pyjet në zonën e “euros” në lindje të Greqisë dhe organet lokale kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Mbi 130 zjarrfikës, me 67 automjete, 80 vullnetarë, 37 makina uji të bashkive dhe 8 avionë, operojnë në këtë zonë, por nuk kanë mundur të ndalojnë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës zjarret që kanë bërë shkrumb e hi, të paktën 7000 hektarë pyje me drurë qindra vjeçare dhe autoritetet flasin për një katastrofë ekologjike.
Në prefekturën Arkadhia të gadishullit të Peloponezit banorët e fshatrave janë detyruar të braktisin shtepitë e tyre, për të mos u përsëritur tragjedia e zjarreve vrastare të vitit 2007 në këtë zonë, ku humbën jetën 67 persona, midis tyre dhe një shtetase shqiptare.
Zjarre kanë shpërthyer edhe në prefektura të tjera të gadishullit, në Mesolongi dhe Messinia, por edhe në rajonet e Etoloakarnanias dhe të Fokidhes ku janë rrezikuar fshatra dhe burgu i Malandrinos.
Në luftë me flakët ndodhen për të dytën ditë rrjesht brigadat e zjarrfikësve në ishullin turistik të Zakinthos ku gjatë gjithë verës flakët kanë djegur dhjetëra pyje dhe plantacione me ullinj.
Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka bërë që të shuhen pas disa orësh, disa vatra zjarrin e zonat periferike të Athinës, në Kretë, në Nafpakto si dhe në pyllin më të madh që rrethon qytetin e Selanikut.
Qeveria greke u ka kërkuar ndihmë shteteve të BE për përballimin e kësaj katastrofe natyrore që është e vështirë të ndalohet për arsye të temperaturave të larta dhe erërave të fuqishme që mbizotëzojnë në të gjithë vendin.
Dy avionë franceze dhe dy spanjolle operojnë qysh dje përkrah forcave greke, ndërsa priten përforcime të reja gjatë ditës së sotme nga Italia dhe Spanja.
Top Channel