Shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu deklaroi nga Prishtina se kosovarët nuk duhet të mësojnë historinë që lidhet me Turqinë, sipas teksteve të kohës së Titos apo Enver Hoxhës.
Pas ministrit turk të arsimit pak ditë më parë, që kërkoi rishikimin dhe heqjen e pjesëve që fyejnë popullin turk, edhe Ahmet Davutoglu përfshihet kështu në këtë debat.
“Historia nuk ndryshohet dhe nuk do të ndryshojë. Ajo cka mund të ndryshohet është interpretimi i saj. Ne duam që kjo të bëhet nga një grup intelektualësh në mënyrë që të pastrojmë paragjykimet pasi ne nuk duam që brezat e ardhshëm të marrin mësime të gabuara. Ne nuk duam që në ditët e sotme të mësojmë historinë e Titos apo të diktatorit Enver Hoxha. Këtë po e bëjmë me shtetin grek, por edhe me vetë historinë të shkruar në Turqi. Dua të bëj të qartë se ne nuk jemi kundër historisë së vërtetë, por kundër asaj ideologjike”, tha Davutoglu në një konferencë për media me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj.
Ndërkaq në takimin me homologun e tij Enver Hoxhaj dhe kryeministrin Thaci ai tha se strukturat paralele serbe duhet të zhduken dhe se Kosova e Serbia janë shtete të barabarta brenda kufijëve aktualë.
Top Channel