Në gjykatën e Hagës vazhdoi edhe këtë të enjte rigjykimi i Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt.
Dëshmia e radhës erdhi nga ish-shefi i sektorit analitik të Shërbimit Informativ Serb, Zoran Stijovic, i cili pranoi para trupit gjykues se UDB-ja shantazhonte për të nxjerrë dëshmi.
Po ashtu, dëshmi ka dhënë edhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, i cili do ta vazhdojë dëshminë edhe të premten.
Gjatë seancës mbrojtja ka kundërshtuar disa herë prokurorinë, duke thënë se ka sjellë prova materiale pa e njoftuar. Një ndër to është libri i Bardh Hamzës, “Rrëfimi për luftën dhe lirinë”.
Ndërsa Ben Emmerson, avokat i Haradinajt, ka rikujtuar se kjo provë është hedhur poshtë edhe në gjykimin e kaluar.
Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj po rigjykohen në Hagë në lidhje me dyshimet për torturim dhe vrasje të disa personave në fshatin Jabllanicë të Gjakovës në vitet 1998 dhe 1999.
Top Channel