Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi as mohoi dhe as konfirmoi njoftimet për një aksion në veri nga forcat speciale kosovare.
I pyetur mbi vërtetësinë e këtij lajmi, gjatë konferencës për shtyp me kryeministren e Kroacisë Jadranka Kosor, Thaçi tha se një shtet do të ketë sukses, nëse zbatohen deri në fund rendi dhe ligji.
“Do të kemi zero tolerancë ndaj atyre që kanë shkelur ligjin”, tha kryeministri kosovar.
“Ju konfirmoj sot se mbetet në fuqi vendimi i marrë nga qeveria e Republikës së Kosovës, që të gjitha mekanizmat e sigurisë të jenë në gjendje gatishmërie”, përfundoi Thaçi përgjigjen e tij ndaj pyetjes mbi aksionin.
Ndërkohë që njoftimet të cilat vijnë nga Ministria e Brendshme e Kosovës flasin për disa ushtrime të zvilluara në jug të Mitrovicës.
Gjatë mëngjesit mediat kosovare njoftuan se rreth 40 automjete të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kishin hyrë në veri të vendit në drejtim të dy pikave kufitare, përkatësisht në Jarinje dhe Bërnjak.
Ndërkohë që lajmi u dha paralelisht me njoftimin e përfaqësuesve të serbëve të veriut se kanë marrë vendim që të heqin gjysmën e barrikadës në fshatin Rudare.
Përfaqësuesi Oliver Ivanoviç ka thënë për mediat kosovare se ky vendim është marrë nga komunat veriore, për të treguar se janë pro zgjidhjes së situatës me anë të dialogut.
Barrikada në Rudarë është e vetmja e mbetur në veri, pas marrëveshjes së arritur ditë më parë mes KFOR-it, Qeverisë Kosovës dhe asaj serbe.
Top Channel