U prit me nderimet më të larta shtetërore. Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës u rreshtua për kryeministren e Kroacisë, shtetit i cili ndan të kaluarën e përbashkët historike me Kosovën.

Jadranka Kosor erdhi në Prishtinë me ftesë të kryeministrit kosovar Hashim Thaçi. Ata zhvilluan një takim të përbashkët.

Më pas edhe me tërë kabinetin qeveritar. Ashtu siç pritej, shefja e ekzekutivit kroat i dha mbështetje të plotë shtetësisë dhe integrimit europian të Kosovës.

Kosor shprehu qëndrim të njëjtësi kancelarja gjermane Angela Merkel një ditë më parë në Beograd.

“Unë kam pas rastin ta përshëndes zonjën Merkel në Zagreb dhe qëndrimet tona janë absolutisht të njëjta. Besoj se të gjitha mendimet e tjera që kanë të bëjnë me politikën e jashtme do të jenë në harmoni me aleatët tanë europiane. Përkrah të gjitha që ka thënë Merkel. Këto janë qëndrime të përbashkëta dhe të Kroacisë dhe Gjermanisë. Ajo që them sot është se do të fokusohemi që të ndihmojnë në rinisjen e dialogut Prishtinë-Beograd sepse kjo është rruga e vetme”, është shprehur Jadranka Kosor, kryeministre e Kroacisë.

Kryeministri kosovar dhe kryeministrja kroate nënshkruan dy marrëveshje bilaterale. Njëra që ka të bëjmë integrimet europiane dhe tjetra për bashkëpunim në transportin rrugor.

“Kroacia është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përvoja e saj do t’i shërbejë Kosovës, ndërsa marrëveshja për transportin rrugor do ta avancojë marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve”, theksoi Thaçi.

Kësaj vizite duket se Iparapriu vendimi i qeverisë për bllokimin e importit të mallrave nga Serbia. Kryeministrja e Kroacisë erdhi në Prishtinë bashkë me 45 përfaqësues të kompanive të cilat po shohin nga afër mundësitë e investimeve në Kosovë.

Vetë kryeministrja kroate në konferencën për shtyp përmendi industrinë e ushqimit dhe atë të infrastrukturës si të orientuara drejt tregut kosovar.

Nga ana e tij kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ftoi publikisht bizneset kroate që të investojnë në Kosovë pasi siç tha ai Kosova ka krijuar klimë të mirë dhe garanton biznes të suksesshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA