Kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka dhënë Serbisë tri porosi për
progres para marrjes së statusit të kandidatit: rezultate në bisedimet
me Kosovën, shtrirjen e EULEX-it dhe veprimin në tërë territorin dhe
heqjen e institucioneve paralele.
Udhëheqja e shtetit gjerman, jo shumë e relaksuar, ka folur në mënyrë të hapur gjatë vizitës së saj në Serbi. Ajo ka thënë se nuk ka frikë për asgjë dhe nuk mund të ketë frikë as për veriun. Sipas saj, politikanët ekzistojnë për të zgjidhur probleme të vështira. Merkel ka treguar se në Gjermani jetojnë rreth 300 mijë serbë dhe se shteti i saj e sheh të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian, por edhe të vendeve të rajonit.
“Gjermania ka pranuar Republikën e Kosovës, kurse Serbia nuk e ka bërë këtë. Në këtë situatë na duhet një progres, rezultate në dialog”, ka thënë ajo.
Kancelarja gjermane ka përshëndetur guximin e mikpritësit të saj, presidentit Boris Tadic, për arrestimin e të kërkuarve për krime lufte dhe ka thënë se ka një optimizëm lidhur me të ardhmen. Presidenti serb ka theksuar se Serbia drejton një politikë të ripajtimit dhe paqes në rajon dhe se dëshiron të zgjidhe problemet me Kosovën. “Ne e dimë që nuk duhet të dërgojmë edhe një konflikt në Bashkimin Evropian dhe duam ta zgjidhim problemin me Kosovën duke gjetur një kompromis, por ne kemi metodat tona të zgjidhjes dhe nuk e njohim Kosovën”, ka thënë ai. Merkel ka qëndruar në Serbi në kuadër të vizitës pas asaj që i bëri shtetit kroat.
Top Channel