Dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor kundër ish-kryeministrit kosovar
Ramush Haradinajt, Shefqet Kabashi mohon ekzistencen e burgut të
Jabllanicës në komunën e Gjakovës.
Kjo është hera e parë që Kabashi del para gjyqit të Hagës për të dëshmuar në këtë proces. Pasi u betua se do ta thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, Shefqet Kabashi i lindur me 1976 në Zahaq të Pejës filloi t’i dëgjojë pyetjet e prokurorit Poul Rogers.
Ai u përgjigj në disa nga pyetjet e prokurorit Pour Rogers por në shumicën e rasteve e refuzonte të përgjigjej, me arsyetimin se prokurori po pyet per shume detaje të cilat atij mund të mos i kujtohen. Ai kërkoi nga prokurori që të hyje drejt e në temë. Kabashi pranoi se në prill të vitit 1998 ka shkuar në UCK, por mohoi ekzistencën e burgut të Jabllanicës duke thënë se në këtë fshat ka pasur vetëm kazerma të UCK-së. Ai tha se kanë qenë katër kazerma. Ai mohoi gjithashtu se në Jabllanicë ka pasur të burgosur, duke thënë se kazermat madje kanë qenë pa dyer e dritare dhe njerëzit kanë mundur të hyjnë e të dalin kur kanë dashur.
Në një rast prokurori Rogers i tregoi dëshmitarit Kabashi një fotografi në të cilën ai pretendon se është burgu i Jabllanicës, por dëshmitari nuk e njohu. Shefqet Kabashi pati edhe momente kur reagoi më ashpër gjatë dëshmisë. Ai ka qenë i burgosur në burgun e Dubravës dhe akuzoi prokurorinë e Hagës se nuk merret me 200 të vrarë nga forcat serbe në burgun e Dubravës, dhe kërkoi të merret në pyetje për ato ngjarje pasi i kishte përjetuar vetë.
Por prokuror Poul Rogers vazhdoi detyren e tij. Ai e pyeti dëshmitarin Kabashi për Skënder Kucin dhe Pal Krasniqin për të cilët hetuesia ndërkombëtare pretendon se janë vrarë në burgun e Jabllanicës. Shefqet Kabashi tha se i njeh që të dy, për Skendër Kucin tha ta ketë pasur fqinj. Por ai sërish mohoi se këta të dy i ka parë ndonjëherë në Jabllanice.
Â
Top Channel