Çdo ditë prej mëse dy javësh 15 forca speciale të repartit RENEA vazhdojnë të ruajnë ish zëvendëskryeministrin Ilir Meta dhe familjen e tij, teksa po kalon pushimet tek vila e tij në një fshat turistik në gjirin e Lalëzit.
Mediat raportuan gjatë gjithë kësaj periudhe se kryetari i LSI është kërcënuar me jetë e për këtë atij i është ofruar mbrojtje. Por çfarë thonë strukturat që kanë urdhëruar vendosjen e RENEA-s tek Gjiri i Lalëzit?
Të kontaktuar nga Top Channel, të gjithë drejtuesit e lartë të policisë së shtetit u shprehën se nuk kanë patur dijeni për një kërcënim të tillë dhe po ashtu zyrtarisht deklarojnë se nuk kanë informacion që RENEA ndodhet tek Gjiri i Lalëzit.
Edhe drejtues të RENEA-s pohojnë shkurt se nuk kanë dijeni që vartësit e tyre të jenë me shërbim tek Gjiri i Lalëzit.
Të pyetur se mjete dhe efektivë të RENEA-s janë pikasur në këtë zonë, drejtuesit shtuan me ironi se këta efektivë mund të kenë qenë me stërvitje apo me pushime.
Top Channel telefonoi edhe drejtues ne prokurorinë e përgjithshme, të cilët u shprehën se nuk ekziston asnjë kallëzim nga Ilir Meta në organin e akuzës ku ai të ketë denoncuar ndonjë kërcënim për jetën.
Misteri shtrihet ende më tej kur edhe krerë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të pyetur në telefon nga TCH mohuan të jetë regjistruar ndonjë kallëzim nga ana e ish zëvedëskryeministrit për ndonjë kërcënim të mundshëm.
Ndërkohë mediat e shkruara dhe elektronike kanë patur në fokus ditët e fundit lajmin mbi ruajtjen nga RENEA për shkak të një kërcënimi telefonik të Metës.
Ky informacion u përcoll për publikun edhe më herët, në fillim të muajit gusht, duke mos patur në atë kohë ndonjë rezonancë të madhe në publik.
Në të gjithë këtë kakofoni zërash, në mesditë LSI përmes zëvendëskryetarit të saj Edmond Haxhinasto deklaroi se Ilir Meta po kryen normalisht funksionet e tij.
“Mendojmë se gjithë kjo fortunë që ka pushtuar median është një spekulim mediatik. Them se kreu i LSI-së është ai që drejton çdo ditë LSI-në dhe përpara nesh shtrohet një çështje e madhe si ajo e reformës zgjedhore”, është shprehur Haxhinasto.
Por ndërsa LSI i quan spekulime dhe të gjithë të tjerët, prokuroria e policia nuk janë të informuar dhe mohojnë që Meta të jetë kërcënuar, pyetjet që mbeten pa përgjigje janë se përse forcat speciale të RENEA-s vazhdojnë të qendrojnë tek Gjiri i Lalëzit?
Me urdhër të kujt janë vendosur ato atje dhe nëse Ilir Meta është kërcënuar dhe ky kërcënim është i vërtetë, përse mbahet sekret dhe përse nuk kanë nisur hetimet?
Top Channel