Në Gjykatën e Hagës do të fillojë procesi i rigjykimit ndaj ish-
kryeministrit të Kosovës, Ramush Harainajt dhe dy bashkëluftëtarëve të
tij, Idriz Balaj e Lah Brahimaj.
Këta tre persona akuzohen për krime lufte kundër serbëve, shqiptarëve dhe të tjerëve në rrethinën e Deçanit në vitin 1998.
Në prill të vitit 2008 Ramush Haradinaj dhe Balaj janë shpallur të pafajshëm, ndërsa Brahimaj është dënuar për krime. Përsëritja e procesit mbahet me shpjegimin se në procesin e parë nuk janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët.
Në procesin e parë të filluar në vitin 2007, prokuroria ka nxjerrë mbi 80 dëshmitarë kundër të akuzuarve. Ndërsa dy persona kanë refuzuar paraqitjen në këtë proces.
Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues, por ndaj tij, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata ka ngritur kallëzim penal për gjykim të pjesshëm.
Haradinaj u vetëdorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në mars të 2005-të dhe u lirua më 3 Prill 2008, për mungesë provash.
Në Korrik të vitit 2010 ai u ndalua prapë në Hagë për rigjykim të pjesshëm, pas ankesës së prokurorisë lidhur me vendimin e 3 prillit 2008 për lirimin e Ramush Haradinajt.
Në shkurt të vitit 2011 Haradinaj ka dorëzuar imunitetin e tij si parlamentar i Kosovës për t’iu nënshtruar gjykimit të Gjykatës së Hagës. Haradinaj mbahet në Hagë pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në krime lufte në Kosovë në vitin 1998.
Top Channel